Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bie numri i shtretërve në SHSKUK, për 4 vjet mbi 300 më pak

Raporti i punës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës për vitin 2023 shpalos rënie shqetësuese të performancës në disa pika të institucionit, e ngritje në disa pika të tjera.

Nga 77 aktivitete të planifikuara, SHSKUK ka arritur për përfundojë vetëm 23, përderisa 13 i ka në proces, e 19 s’i ka nisur fare.

Ky raport që bordi i SHSKUK-së e quan draft deri në miratimin apo jo të tij, u prezantua dje, më 20.03.2024, në mbledhjen e këtij bordi, që është organi më i lartë drejtues i institucionit.

Numri i shtretërve në SHSKUK ka rënë për më shumë 300 sesa ishin regjistruar në vitin 2019, 3 mijë e 686 gjithsej.

Ky institucion ka trajtuar mbi 149 mijë pacientë gjatë vitit që lamë pas, 3 mijë e 217 më pak sesa më 2022.

Shërbime të veçanta që ofrohen nga njësi të ndryshme janë regjistruar 8 për qind më pak. Por, sipas hartuesit të raportit kjo e fundit vjen për shkak të përmirësimit të cilësisë së raportimit.

Pavarësisht rënies së numrit të pacientëve të shtrirë, në SHSKUK është ngritur mesatarja e ditëve të shërimit.

Një e dhënë tjetër shqetësuese është ngritja e numrit të lindjeve me operacion.

Në vitin 2023 nga 18 mijë lindje, 38 për qind e tyre kanë qenë me operacion, ndërkaq në vitin parapak nga 19 mijë e 482 lindje, 35 për qind e tyre janë realizuar me operacion.

SHSKUK, që përfshin Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale, ka pasur progres të vogël në dy tregues të rëndësishëm.

Shfrytëzimi i kapaciteteve është ngritur për 2 për qind, nga 56 në 58 dhe numri i operimeve është ngritur për 414, duke çuar numrin e tyre në 41 mijë e 148.

Gjithnjë duke krahasuar me vitin 2022, gjatë vitit 2023 ngritje më të larta ka pasur te shërbimet laboratorike, radiologjike dhe diagnostike.

Shërbimet laboratorike janë ngritur nga mbi 3.9 milionë në mbi 4.2 milionë, apo 6 për qind më shumë.

Shërbimet diagnostike janë ngritur për 19 për qind, total mbi 738 mijë. E ato radiologjike janë ngritur për 10 për qind, total mbi 417 mijë.

E ndonëse i tërë institucioni ka rritur numrin e operacioneve, në QKUK ka pasur ulje të numrit të tyre për 1 për qind, nga 23 mijë e 410 në 23 mijë e 204.

Ky raport thotë se furnizimi me barna esenciale sipas planifikimit ka qenë 53 për qind, e me material shpenzues 67 për qind.

Këto të dhëna u shpalosën në mbledhjen e djeshme (20.03.2024) të bordit të SHSKUK-së – organi më i lartë drejtues – gjatë prezantimit të raportit të punës për vitin 2023.

Ky raport është hartuar nga shefi i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në SHSKUK, Sali Bllaca, i autorizuar nga drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi.

Krejt këto të dhëna, megjithatë, mund të mos jenë plotësisht të sakta, sipas kryesuesit të bordit, Naim Bardiqi.

“Pa u dixhitalizu raportimi, nuk kemi me kanë kurrë të sigurt se a janë të dhënat të bazuara në evidencë” – tha ai.

Ku shkuan shtretërit?

Rënia e numrit të shtretërve është diskutuar dhjetëra herë në mbledhjet e bordit, i cili ka kërkuar të dijë numrin e saktë të të gjithë shtretërve në institucion.

Shumica e njësive që kanë raportuar në bord nuk kanë pasur një arsye konkrete për rënien e numrit të shtretërve, e në disa raste ka pasur edhe raportim të gabuar të numrave.

Një studim i fizibilitetit i bërë nga ekspertë të huaj në vitin 2019 ka regjistruar mbi 4 mijë shtretër në SHSKUK. Ndërkaq, draft-raporti i punës së SHSKUK-së për vitin 2019 ka regjistruar 3 mijë e 686 shtretër, apo mbi 300 më pak.

Rënien e numrit të shtretërve Bardiqi e konsideron tejet shqetësues, pasi që sipas tij shtrati është njësi matëse për performancën e institucionit.

“Është joefikase dhe jofizibile numrin e shtretërve me e ndryshu kush don. Mendoj se bordi duhet të jetë i vetmi që ka kompetencën për ndryshimin e numrit të shtretërve. Kërkojmë raport dhe ngritje të komisioneve për me i dhanë sqarimet e duhura pse kjo rënie, përderisa nuk ka ra numri i të punësuarve” – tha ai.

Bllaca tha se disa njësi kanë raportuar se numri i shtretërve ka rënë për shkak të renovimeve, e disa nuk kanë pasur arsye fare.

Drejtori për Arsim dhe Shkencë të SHSKUK-së, Ibrahim Rudhani, i cili po ashtu merr pjesë në mbledhjet e bordit, tregoi se pse ishin larguar disa shtretër në Klinikën e Nefrologjisë, ku punon edhe vet.

“Kur kanë ardhë shtretërit e rinj më të gjerë, drejtoria e atëhershme e ka zvogëlu numrin e shtretërve se s’i ka nxanë dhoma” – tha ai.

Me 5 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, bordi i SHSKUK-së vendosi që vetëm ai të jetë kompetent për të vendosur për ndryshimin e numrit të shtretërve.

QKUK dhe spitalet rajonale

Shfrytëzimi i kapaciteteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është në nivel më të lartë sesa nëpër spitalet rajonale.

Gjatë vitit 2023, QKUK ka shfrytëzuar 70 për qind të kapaciteteve të saj, 3 për qind më shumë sesa në 2022. Ndërsa, spitalet rajonale nga 43 për qind kanë ngitur shfrytëzimin në 45 për qind.

Edhe pse synohet që mesatarja e ditëve të shërimit të pacientëve të ulet, në QKUK kjo shifër është rritur nga 5.7 në 6 për një vit, e në spitalet rajonale ajo ka mbetur e njëjtë, 4.1.

Numri i operacioneve në QKUK ka rënë për 1 për qind, nga 23 mijë e 410 në 23 mijë e 204 sosh. Për këtë, hartuesi i raportit tha se është pasojë e renovimeve të bëra në bllokun operativ.

Bordi ka kritikuar edhe më parë shumicën e klinikave kirurgjike për numrin e ulët të operacioneve, të cilat janë arsyetuar me mungesën e anesteziologëve.

Ndryshe prej saj, spitalet rajonale kanë realizuar 620 operacione më shumë se në vitin 2022, thuajse 18 mijë.

Ndërkaq te vizitat diagnostike, QKUK ka pasur dukshëm performancë më të mirë me 80 për qind ngritje, sesa spitalet që kanë pasur 27 për qind ulje të numrit të tyre.

QKUK ka referuar 1 mijë e 144 raste jashtë vendit. Mjekësia Nukleare prin me 311 raste. Arsyet kyçe të referimeve, sipas klinikave janë mungesa e aparaturave e hapësirave vepruese dhe mungesa e stafit të kualifikuar.

Bordi do të votojë për apo kundër aprovimit të këtij raportin në njërën nga mbledhjet e ardhshme.

Në mbledhjen e djeshme, përveç Bardiqit, morën pjesë edhe anëtarët Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Besim Demolli dhe Enver Gashi, ndërsa munguan Rrezarta Bajrami dhe Vjollca Kadolli.

Për shkak të performancës së keqe, bordi i SHSKUK-së nuk kishte aprovuar raportin e 6-mujorit të parë të punës së SHSKUK-së.

Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi kishte konstatuar se performanca e SHSKUK-së gjatë asaj periudhe ka qenë e keqe, nuk janë shfrytëzuar kapacitetet, është tentuar të fshihet mospuna dhe se ka pasur keqmenaxhim të parasë publike në spitale të përgjithshme.

Po ashtu ishte konstatuar se sipas përqindjeve, klinikat kanë perfomuar më mirë sesa spitalet e përgjithshme. Kjo, sipas Bardiqit, për shkak se ato ofrojnë edhe shërbime dytësore edhe tretësore.