BKS: Pavarësisht tendencave për sulme kibernetike, nuk është shkaktuar asnjë dëm

Mediat kanë raportuar se Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka qenë cak i sulmeve kibernetike me “ransomware”.

KALLXO.com ka kontaktuar me BKS-në për të kuptuar më shumë detaje në lidhje me këto raportime.

Nga Byroja e Sigurimeve thonë se në vazhdimësi janë përballur me sulme kibernetike dhe se për këto sulme thonë se me kohë kanë njoftuar organet e rendit.

BKS thekson se pavarësisht këtyre sulmeve nuk është “vjedhur” ndonjë e dhënë.

“Pas ndryshimit të kompanisë që mirëmban sistemin e BKS-së në vazhdimësi BKS-ja është përballur me sulme kibernetike, e ku për këto ne me kohë kemi njoftuar organet e rendit. Por, pavarësisht tendencave deri më tash asnjëherë nuk është marrë ndonjë e dhënë nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ashtu siç është komentuar para disa ditësh nga persona jo kompetentë”- thuhet në përgjigjen e BKS-së për KALLXO.com.

BKS deklaron se të dhënat e tyre ruhen në serverë shumë të sigurt.

“Pra, BKS-ja është përballur me sulme kibernetike, por deri më tash sulmuesit nuk kanë arritur të marrin asnjë të dhënë që posedon Byroja, pasi që të dhënat tona ruhen në serverë shumë të sigurte. Për shkak të nivele të sigurisë dhe veglave për parandalimin e tentativave të tilla, sistemi identifikon dhe bllokon të gjitha burimet e dyshimta. Nuk ka ndodhe asnjë prekje e të dhënave, apo niveleve te mëposhtme te arkitekturës fizike të sistemit. Te dhënat ruhen në bazat “cloud” me disa nivele të sigurisë se qasjes në to”- janë shprehur nga BKS-ja.

Më tej, Byroja thotë se nuk është shkaktuar ndonjë dëm nga këto tendenca, mirëpo vetëm vështirësi në punë.

“Tendenca për me hy në sistem nuk ka krijuar asnjë dëm, por na ka krijuar vështirësi në punë. Falë angazhimit të stafit profesional që ka BKS-ja probleme të tilla lokalizohen në kohë rekorde dhe falë sistemit të sigurisë që ne kemi deri më tash nuk është shkaktuar asnjë dëm”-shpjegon BKS.

Për informacionin që ka qarkulluar në media, BKS thotë se rasti në fjalë ka ndodhur në fillim të këtij viti.