Foto: Byroja Kosovare e Sigurimit

Byroja Kosovare e Sigurimit: Agjencitë turistike duhet t’i sigurojnë udhëtarët

Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar se agjencitë turistike duhet t’i sigurojnë klientët e tyre dhe se tash e tutje klientët do të jetë të siguruar në realizimin e së drejtës së tyre përmes policës së sigurimit.

Këtë BKS-ja e ka mbështetur në Udhëzimin Administrativ 05/2003, i cili është mbështetur në Ligjin e Turizmit.

“Nëse kompania nuk përmbush marrëveshjen që ka me klientin, atëherë Institucionet përgjegjëse mund të ekzekutojnë sigurimin dhe të kompensojnë palën e dëmtuar” – thuhet në komunikatën e Byrosë.

Tutje ështe thënë se para se të fillojë implementimi i këtij udhëzimi në praktikë është zhvilluar një takim mes drejtorit të BKS-së Sami Mazrekut si, drejtorit Financiar Valon Berisha dhe Brahim Isufaj me Lindita Rashica, Merlinda Ramaj, Lumturie Geci që janë përfaqësuese të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Në nenin 5 të këtij Udhëzimi Administrativ thuhet se Agjencia e Udhëtimit duhet të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes një polise të vlefshme sigurimi” – ka thënë BKS.

Sipas Byrosë pikën e parë e nenit 5 të këtij udhëzimi administrativ thotë se polisa e sigurimit duhet të mbulojë kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj udhëtarit nga mos përmbushja, plotësimi i pjesshëm ose përmbushja e parregullt e detyrimeve sipas marrëveshjes së udhëtimit, itinerarit të udhëtimit ose itinerarit të ekskursionit si dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara për shkak të pamundësisë së agjencisë së udhëtimit për të shlyer kostot e nevojshme të strehimit/akomodimit, ushqimit dhe kthimit të udhëtarëve nga një udhëtim në vendin e nisjes, brenda dhe jashtë vendit.

“Polisa e sigurimit duhet të mbuloj edhe rastet e pamundësisë së përmendura më sipër të shkaktuara nga falimentimi i agjencisë së udhëtimit” – ka thënë Byroja Kosovare e Sigurimit.

Më tutje është thënë se në pikën 2 po të këtij neni thuhet se organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj rimbursimin e të gjitha pagesave të bëra nga ose në emër të udhëtarit në lidhje me kontratën e udhëtimit për pakot dhe shërbimet që nuk kanë ose nuk do të kryhen ose do të kryhen vetëm pjesërisht si pasojë e falimentimit apo falimentimit të organizatorit.

“Sipas këtij udhëzimi organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj kompensimin e udhëtarit për shpenzimet e strehimit të nevojshëm, ushqimin dhe kthimin në vendin e nisjes në Kosove apo jashtë vendit, si dhe të gjitha pretendimet e tjera në këtë drejtim, në rast të falimentimit të organizatorit, nëse transporti ishte përfshirë në kontratën e paketës së udhëtimit” – vazhdohet tutje në këtë komunikatë.

BSK ka thënë se për Agjencitë me qarkullim vjetor deri në 100 mijë euro, mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën 30 mijë euro.

Tutje është thënë se agjencitë me qarkullim vjetor nga 100 mijë deri në 500 mijë euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të 50 mijë euro.

Ndërsa, për Agjencitë me qarkullim vjetor nga 500 mijë deri në 1 milion euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën 100 mijë euro.

Po ashtu, BSK ka njoftuar se për Agjencitë me qarkullim vjetor prej 1 milion euro deri në 2 milionë euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën 200 mijë euro.