(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Bislimi udhëton për në Bruksel, nesër takohet me Petkoviqin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel.

Në kuadër të procesit të dialogut, ai nesër pritet të zhvillojë takim me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në takimet e nesërme do të të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes bazike të 27 shkurtit, aneksit implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara i 21 tetorit.

Kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq do të priten në takim nga emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ky rund i ri i dialogut vjen pas vizitës së emisarit Lajçak në Kosovë të hënën dhe të martën e javës së kaluar, kur u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me liderë të partive opozitare dhe me ambasadorë të akredituar në Kosovë. Gjatë kësaj vizite, Lajçak nuk u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Bislimi dhe emisari i BE-së në takimin që kanë zhvilluar javën e kaluar kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë ishte rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut për vetëmenaxhimin.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.