Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Marrëveshja me Serbinë për targa të veturave nuk ka pse të vazhdojë pas 15 shtatorit

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka mbajtur konferencë për media pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, të udhëhequra nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Bislimi tha se është diskutuar marrëveshja e tabelave të veturave me Serbinë e cila do të përfundojë pas 15 shtatorit.

“Më datat 7-8 shtator kemi pasur 5 takime, disa bilaterale e disa trilaterale. Në takimin e dytë është diskutuar për energjinë dhe targat ndërsa në takimin e tretë për të pagjeturit. Në takimin ku është diskutuar për targat ne kemi deklaruar se afati përfundon më 15 shtator dhe nuk shohim arsye për vazhdim. Përdorimi i targave ka filluar në prill në vitin 2011 dhe palët pastaj kanë devijuar dhe kanë tentuar ta bëjnë marrëveshje të përhershme. Nevoja që kjo të trajtohet në Bruksel është artificiale”, tha ai.

Sipas Bislimit edhe pse në shtator është ndërprerë nxjerrja e tabelave në të kaluarën pala kosovare ka bërë një veprim të pamatur kur ka ndërprerë nxjerrjen e tabelave me regjistrim KS, pasi që sipas tij kjo po përdoret si argument nga Bashkimi Evropian.

“Deri sot ka ende në qarkullim vetura me targa KS dhe RKS që do të thotë se Kosova e ka respektuar këtë marrëveshje dhe ajo që është më me rëndë si në Kosovë sot janë rreth  2000 vetura që i bie vetëm 1% e të gjitha veturave që janë në qarkullim”, tha Bislimi.

Sipas tij, benifitet e qytetarëve nga kjo marrëveshje kanë qenë minimale.

“Marrëveshja me Serbinë nuk i ka sjellë benefit 99% të qytetarëve të Kosovës të cilët po ashtu kanë qenë të detyruar ti nënshtrohen torturave me largim të tabelave e vendosje të tabelave të përkohshme e të ngjashme pra benefiti ka qenë nga pala kosovare në minimum ndërkohë që pala serbe e ka përdorur këtë argument politikisht”, theksoi ai.

Bislimi ka konfirmuar se në komunat serbe janë vetëm 75 vetura që nuk kanë tabelat në RKS, përderisa shtoi që ende ka një numër të qytetarëve shqiptarë që përdorin tabelat KS.

“Pjesa më e madhe e këtyre veturave që s’janë ende me tabela RKS, edhe pse janë 2147, janë të pronarëve me kombësi shqiptare në territorin e Ana Moravës që janë njerëz që ose udhëtojnë në Serbi ose kanë biznese të caktuara që ju duhet bashkëpunimi me Serbinë, rrjedhimisht nevoja që kjo të trajtohet në Bruksel është artificiale”, theksoi ai.

Tutje ai tha se temë e diskutimit ka qenë edhe tema e të pagjeturve, ku pala kosovare është njoftuar që nga lokacioni në Kizhevat janë identifikuar emrat e shtatë personave të pagjetur.

Në muajin qershor të këtij viti, në Bruksel kanë filluar takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dy ditët e fundit në Bruksel janë mbajtur takimet bilaterale dhe trilaterale me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak, përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti kishte paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar në vitin 2011.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në shtator të vitit 2016, ishte arritur marrëveshja që targat “KS” të hiqeshin fare dhe automjetet e të dyja vendeve të bartnin targat përkatëse gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës.

Por, qeveria e ish-kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën Tahiri ishte ministre për Dialog, siç ka thënë vet ajo, e kishte vonuar procesin e nxjerrjes së etiketave.