Bislimi i thotë Lajçakut se rregullorja e BQK-së s'është pjesë e dialogut e as subjekt i negociatave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi gjatë takimit me Lajçakun ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatava mes palëve, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, lëshuar më 05.03.2024.

“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimësinë e mbështetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”- thuhet në njoftim.

Sa i përket  masave të BE-së ndaj Kosovës, Bislimi ka kërkuar heqjen e tyre sa më parë duke i konsideruar të padrejta.

Zëvendeskryeministri Bislimi ka theksuar se marrëveshja bazë në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve.

Ai gjithashtu ka ngritur si shqetësim shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit të Kosovës.

“Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”- vazhdon komunikata.

Në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës gjatë takimit u sqarua nga emisari Lajçak që anёtarёsimi nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.

Kurse, pas takimit, para mediave afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës u deklarua Lajçaku, i cili tha se vizita e tij ishte e shkurtër dhe se ishte pjesë e atyre të zakonshmeve që i bën në Kosovë.

Lajçak tha se nga bsiedimet me të dyja palët, duan progres. Ai tha se kanë folur edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin serb.

“Çështja e dytë që e diskutuam ishte rregullorja e BQK-së. Disa pyetje që kishim patën përgjigje, po planifikojmë të organizojmë një takim në nivel kryenegociatorësh”- tha emisari.Zyrtari i bllokut evropian shtoi se kanë një listë të gjatë të çështjeve që diskutuan, por siç tha ai fokusi ishte marrëveshja bazike.“Kjo marrëvshje është më e mira që kanë pasur Kosova dhe Serbia. Pse duhet të presim, duhet të fillojmë me zbatimin e saj”- tha ai.

Vizita e Lajçak vie një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2024 në Bruskel, për të diskutuar për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutë të vetme në vend.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajçak tregon për temat që i folën me Bislimin

“Jehona” e vendimit për dinarin, nga hyrja në fuqi deri te takimi në Bruksel