Besnik Tahiri : Grupi parlamentar i AAK-së do të votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil

Pas deputetes Duda Balje, e cila është shprehur kundër miratimit në parim të Kodit Civil, edhe një grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës ka dalë kundër këtij Kodi Civil.

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil.

Kjo është konfirmuar nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Grupi parlamentar i AAK-së do te votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheshin martesat brenda së të njëjtës gjini”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai po ashtu është shprehur se si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kanë marrë nga elektorati i tyre, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm.

Edhe prijësit e bashkësive fetare në Kosovë me anë të një deklarate të përbashkët kundërshtuan këtë nismë të Qeverisë dhe bënë thirrje që të hiqet dorë nga kjo ide.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.

Në këtë Projektkod një referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës mes gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

Projektkodi Civil i Kosovës, grupet parlamentare deklarohen për martesat mes gjinisë së njëjtë