Abelard Tahiri (PDK) në mbledhjen e kryesisë, 17 janar 2022
Projektkodi Civil i Kosovës, grupet parlamentare deklarohen për martesat mes gjinisë së njëjtë
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 24 shkurt (e enjte) në seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.
Në këtë projektkod një referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës mes gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se ky projektkod duhet ta marr miratimin e legjislativit.
“Grupi parlamentar i LVV-së do ta ketë në diskutim, natyrisht se secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm përbrenda në raport me një referencë, dhe ajo referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë, i cili nuk duhet t’i ndalojë as ata që janë me pikëpamje konservative të votojnë këtë projektkod për arsye të rëndësisë dhe peshës. Besojmë që ky projekt kod është i rëndësishëm dhe duhet të votohet”, tha ajo.
Kusari-Lila ka shtuar se në shoqëri do të vazhdohet debati për këtë çështje dhe se sipas saj është “debat përmbajtjesor dhe shumë i rëndësishëm për të drejtat bazike elementare njerëzore”.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Kodi civil është një dokument që është punuar mjaft gjatë.
“Ky është dokumenti që rregullon çështjet civile. Mendoj që edhe në kod civil do të rregullohet ajo çështje me një ligj të ri (për martesa me gjini të njëjta)”, tha ai.
Në anën tjetër, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se e mbështesin Projektkodin Civil.
“U befasova kur e pashë në agjendën e kuvendit. Në mbledhjen e Komisionit kemi vendos me e thirr ministren e Drejtësisë që me i marr disa sqarime të cilat i ka sjellë ministria. Kodi civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Si grup parlamentar ne e mbështesim”, tha ai para gazetarëve.
Javen e kaluar, Komisioni për Legjislacion e kishte miratuar në parim Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.
Fillimisht nga partitë opozitare e kanë kritikuar mungesën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e këtij Komisioni.