Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Behrami: Komunës së Prishtinës i kemi rekomanduar lokacion tjetër për "Parkun e aventurave"

Udhëheqësi i sektorit për zonat e mbrojtura në kuadër të Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, Sami Behrami, ka thënë se ky institucion i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që të gjejë një lokacion tjetër për ndërtimin e “Parkut të aventurave”.

Kjo pasi, sipas Behramit, lokacioni ku parashihet është zona më e mbrojtur e Gërmisë.

“Pas pranimit të dokumenteve, Instituti ka realizuar vizitë në terren, ku jemi njoftuar nga afër për lokacionin se ku parashihet ndërtimi i ‘Parkut të aventurave’. Edhe kemi konstatuar se ‘Parku i aventurave’ parashihet të ndërtohet në pjesën më vitale të Gërmisë. Kjo pjesë, në qoftë se Gërmia ka vlera, vlerat janë pikërisht në këtë zonë ku parashihet ndërtimi i këtij parku”, ka thënë Behrami në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, rekomandimi ka qenë që një park i tillë i aventurave të ndërtohet në lagjen ‘Taukbahçe’, që ndodhet në hyrje të Gërmisë.

“Edhe për këtë aryse ne si Institut kemi rekomanduar Komunës së Prishtinës, sepse edhe ne nuk kemi qenë të interesuar që Komuna e Prishtinës me e humb projektin. Ju kemi dhënë një alternativë që parku me u zhvendos diku jashtë zonës së mbrojtur. Në qoftë se nuk ka mundësi për zhvendosje, me shiku mundësinë në pjesë të tjera të Gërmisë. Një alternativë ka qenë në hyrje të Gërmisë, në ‘Taukbahçe”, ka thënë Behrami.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për projektin e Komunës së Prishtinës “Parku i aventurave”.

Ky projekt synon të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.

Të ftuar në këtë debat janë Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë”, Sami Behrami nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës; Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe Krenare Salihu nga WWF.