Pëllumb Gjinolli: 'Parku i Aventurave' nuk ka ndikim në mjedis dhe nuk nevojitet diskutim publik

Inxhinieri i mjedisit, Pëllumb Gjinolli, ka thënë se ndërtimi i ‘Parkut të Aventurave’ në Gërmi nuk ka ndikim në mjedis.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se në fillim ka qenë i alarmuar për faktin se do ketë ndërtim në Gërmi, por pas komunikimeve me nivele më të larta dhe analizës që ka kryer për vlerësimin e mjedisit ka parë se nuk do ketë ndikim në të.

“Mua më ka ftuar organizata PPSE, pjesë e Swiss Contact, bashkë me komunën pasi jam inxhinier i mjedisit. Në fillim kam qenë i alarmuar me faktin e ndërtimit në Gërmi, por pasi jam sigururar për komunikimet me nivelin më të lartë me Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, Ministria e Mjedisit, kam vendosur ta marr përsipër dhe të bëjë analizën dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ka thënë ai.

“Për këtë vlerësim jam i gatshëm të ballafaqohem me të gjithë pasi kam parë që nuk do ketë ndikim në mjedis”, shtoi Gjinolli.

Sipas tij, kompania që pritet të angazhohet ka punuar shumë parqe të tilla, ndërsa sipas udhëzimit administrativ, nuk ka nevojë për diskutim publik.

“Kompania  që pritet të angazhohet ka bërë parqe të tilla në Slloveni, Begjikë, Austri dhe Norvegji. Në rastin e legjislacionit vendor, kur kërkohet leje mjedisore që vendos Departamenti për Mjedis në Ministrinë e Mjedisit, është thënë që, ky projekt i nënshtrohet lejes mjedisore komunale, pra nuk ka nevojë për vlerësim të ndikimit mjedisor në nivelin qendror. Sipas udhëzimit administrativ nuk ka nevojë për debat publik”, potencoi Gjinolli.

Për këtë temë, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po diskutohet me: Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Gjinolli, këshilltar ambiental dhe inxhinier i mjedisit, Flutra Zymi, organizata ‘Qytetarët aktivë’, dhe Krenare Salihu nga WWF (Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës).

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.