Adrian Berisha për 'Parkun e Aventurave' në Gërmi: Fokus - zhvillimi i turizmit

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka thënë se projekti për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi ka fokus turizmin.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se ky projekt nuk është në Drejtori të Parqeve pasi marrëveshja është nënshkruar me Drejtorinë e Kulturës.

“Arsyeja pse ky projekt është pjesë e Drejtorisë së Kulturës ka të bëjë me një marrëveshje të cilën Drejtoria e ka nënshkruar në vitin 2019 me PPSE pjesë e Swiss Contact. Fokus ka qenë të zhvillohet sektori i turizmit”, ka thënë Berisha.

Ai tha se ky projekt është përzgjedhur si më lehtë i realizueshëm nga shumë propozime tjera si pjesë e festivalit ‘Manifesta 2022’, nikoqir i të cilit do të jetë Prishtina.

“Qyteti i Prishtinës e pret festivalin ‘Manifesta’ për vitin 2022, është shumë e rëndësishme, ne kemi menduar se çka mundet me qenë atraktive për të rinjtë, kemi pasur disa propozime dhe ka ardhur një ide për këtë park”, tha ai.

“Një ekspert i jashtëm na ka rekomanduar se çka mundemi të bëjmë, ai madje e ka përmendur edhe investimin e mundshëm në Liqenin e Badovcit me disa anije dhe më së lehti për t’u realizuar ka qenë parku”, potencoi Berisha.

Berisha tutje shtoi se me këtë projekt duan t’i sjellin fëmijët më afër natyrës dhe se nuk do ketë ndërtim me beton.

“Unë e kam trashëguar këtë projekt, qëllimi është që fëmijët të jenë më afër natyrës, kemi pasur propozime që të ketë edhe programe brenda parkut. Parqe të tilla ka shumë në botë, këtu nuk bëhet fjalë për beton, kryesisht do punohet me dru dhe hekur, kemi angazhuar një nga kompanitë më të mira në rajon për këtë projekt”, tha tutje Berisha.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.