Berisha: Nuk do lejojmë që të pritet ndonjë dru për 'Parkun e Aventurave'

Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se nuk do lejojnë që të pritet ndonjë dru gjatë punimeve për ‘Parkun e Aventurave’ në Gërmi.

Ai këto komente i dha në emisionin ‘Kallxo Përnime’ pas deklaratës së Krenare Salihut nga Organizata Botërore për Mjedis (WWF) se aty do bëhet pastrim i drurëve.

“Ne nuk jemi kundër natyrës, pastrim drusor do të thotë që nëse ke dru në rrugë gjatë implementimit të punës aty, ata largohen e jo të priten”, tha ai.

“Unë si drejtor dhe Komuna nuk do lejojmë që aty të pritet ndonjë dru, këtë e kemi urdhër si komunë edhe prej kryetarit Shpend Ahmeti”, shtoi Berisha.

Sa i përket propozimit për ndërrimin e lokacionit, Berisha tha se pret takim me të gjitha palët për të gjetur një zgjidhje.

“Propozimin që të ndërrohet lokacioni e kam gjetur kur kam ardhur si drejtor para tre muajsh dhe mendoj se bashkë duhet të gjejmë një zgjidhje, pra të ulemi në një takim të gjitha palët dhe të flasim për zgjidhjen sepse nëse e krahason, kafsha më e egër në këtë planet jemi ne njerëzit”, theksoi Berisha.

Berisha potencoi se ky projekt do jetë në mbikqyrje të disa personave.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.