Deputeti i PDK-së Artan Behrami.

Behrami: Gjykata Speciale dhe BE e trajtojnë Kuvendin e Kosovës si “nënë surrogate”

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë qenë në fokus të kritikave në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, aty ku deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka akuzuar këtë gjykatë dhe Bashkimin Evropian për mënyrën e funksionimit të saj.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se kjo gjykatë, në bashkëpunim me Bashkimi Evropian, e konsideron Kuvendin e Kosovës si “nënë surrogate”, kurse ‘prindër ligjor’ e konsiderojnë EULEX-in, UNMIK-un dhe Rezolutën 1244.

“Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara të Republikës së Kosovës, ky është komunikimi i parë i kësaj gjykate me neve. A e dini pse? Sepse Ekaterina Trendafilova dhe Bashkimi Evropian Kuvendin e Kosovës e konsiderojnë si një nënë surrogate, derisa ‘prindër ligjor’ e konsiderojnë EULEX-in, UNMIK-un dhe Rezoluta 1244. Gjykata Speciale është duke bërë një devijim të tmerrshëm të mandatit që ia ka dhënë ky Kuvend. Ajo duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës. Kjo gjykatë është e Kosovës vetëm në formë, kurse kundërligjshëm po funksionon jashtë kontrollit efektiv të institucioneve të Kosovës” – ka deklaruar Behrami gjatë seancës plenare më 17.04.2026.

Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të kërkojë llogaridhënie nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet financuese të kësaj gjykate, si dhe të kërkohen sqarime institucionale nga EULEX-i.

Behrami gjithashtu ka propozuar që të ndalet raportimi në EULEX dhe në UNMIK përmes Rezolutës 1244, si dhe të ftohen urgjentisht në raportim presidentja e Gjykatës Speciale, Ombudspersoni i saj dhe shefi i EULEX-it.

Sipas tij, ky proces duhet të udhëhiqet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe të zhvillohet me unitet të plotë politik.

Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, vendimi për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, si dhe zgjedhja e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.