Batusha: Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së filloi në periudhën kur përkujtojmë viktimat e gjenocidit në Kosovë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha është deklaruar në lidhje me fillimin e procesit të gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Batusha tha se procesi gjyqësor i ish-eprorëve të UÇK-së, po fillon në periudhën kur Kosova përkujton viktimat e gjenocidit.

“Gjatë këtyre ditëve nisi procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, rastësi apo jo, gjykimi filloi pikërisht në periudhën kur ne si Kosovë kujtojmë viktimat e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimet e shkaktuara nga aparati shtetëror i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë”- tha Batusha.

Deputeti i LVV-së deklaroi se udhëheqësit aktual të institucioneve serbë sipas tij janë “vetë dorasit apo urdhër-dhënësit e masakrave që kanë ndodhur në Kosovë”.

“Është e trishtueshme që sot janë ende 1,647 të pagjetur, të cilët janë zhdukur me dhunë nga aparatura policore dhe ushtarake serbe. Shumë nga udhëheqësit aktual të institucioneve serbe janë vetë dorasit apo urdhër-dhdënësit e masakrave që kanë ndodhur në Kosovë në vitet ’98-’99”- ka thënë ai.

Më tej, Batusha u shpreh se ka ende varre masive në Serbi të cilat pritet të zbulohen teksa shtoi se tashmë pas 24 viteve do të ketë një deklaratë për personat e zhdukur me dhunë.

“Në Serbi ka ende varre masive të cilat pritet të zbulohen, pas 24 vitesh nga përfundimi i luftës do të ketë një deklaratë për personat e zhdukur me dhunë, pas 24 vitesh është arritur të imponohet adresimi i drejtë i përgjegjësisë për të zhdukurit. Në çdo vend ku bëjmë homazhe kemi parë varre bosh dhe familjarë të dërrmuar nga dhimbja”- theksoi Batusha.

“Nënë Ferdonije ende pret për më të dashurit e saj. Në cilën Gjykatë do të trajtohet tavolina e saj e boshatisur”- shtoi ai.

Deputeti Batusha mes tjerash tha se lufta e UÇK-së përderisa citoi një pjesë të fjalimit të Rexhep Selimit drejtuar trupit gjykues të martën.

“Lufta e UÇK-së është e pastër, të vërtetën e saj e gjejmë në rreshtat e këtij citati ‘Luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë, as si profesion e as si pasion, por ajo ishte e domosdoshme për mbijetesën tonë si komb e si shoqëri’”- tha Batusha.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq me 4 prill nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kurse, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do të ta mbështesë miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit.

Në anën tjetër, Kurti ka folur sot lidhur me dakordimin për deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën është diskutuar në takimin mes Kosovës dhe Serbinë, në mes të kryenegociatorëve.

Kurti ka thënë se termi në anglisht ‘Forcibly disappeared’ apo persona të zhdukur me dhunë, është termi i cili ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes së dakorduar.

Ndërkaq, të hënën ka filluar gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuar në Hagë kanë konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.