Ilustrim

Bastiset lokali në Gjakovë, qytetari bie nga lartësia duke ikur

Një 29 vjeçar ka marrë lëndime trupore ndërsa është dërguar në emergjencë në Gjakovë pasi ra nga një lartësi prej 2 metrave.

29 vjeçari po tentonte të ikte nga policia pasi këta të fundit kishin nisur një kontroll në një lokal në Gjakovë i cili po thyente rregullat kundër COVID-19.

KALLXO.com mësoi se mbrëmë rreth orës 12 e 30 pas mesnatës, derisa policia po patrullonte kanë vërejtur se një lokal me muzikë live ishte duke punuar edhe pas orës së përcaktuar në bazë të vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, policia ka tentuar të hyjë brenda lokalit por dera ka qenë e mbyllur ndërsa kishin vërejtur se mysafirët në lokal kishin shfrytëzuar një dalje tjetër për tu larguar nga lokali.

Njëri nga mysafirët deri sa po largohej kishte rënë nga lartësia prej 2 metrave nga ku edhe ka marrë lëndime të rënda trupore ndërsa për rastin është thirrur edhe një autoambulancë me të cilën per 29 vjeçari më pas është dërguar për trajtim mjekësor.

Përveç incidentit me 29 vjeçarin, policia siç mëson KALLXO.com ka ndaluar dhe gjobitur edhe dy persona të tjerë për mos mbajtje të maskës në hapësira publike.

Tutje KALLXO.com mëson se policia nuk ka arritur që të bie në kontakt fizik apo përmes telefonit me pronarin e lokalit.