Bashkëpunim institucional mes Kosovës e Shqipërisë në fushën e antropologjisë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth bashkëpunimit akademik Kosovë-Shqipëri.

Olsi Lelaj, drejtues i Departamentit të Etnologjisë dhe zëvendësdekan në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ka thënë se pas shumë përpjekjesh e bashkëpunimesh në nivel miqësor, Kosova e Shqipëria kanë arritur që më në fund të kurorzojnë bashkëpunim institucional mes dy vendeve në fushën e albanologjisë,

“Erdhëm në Prishtinë një grup nga Akademia e Studimeve Albanologjike ku nënshkruam një marrëveshje në kuadër të fushës së arsimit, kërkimit dhe shkëmbimit të stafeve arsimore dhe kërkimore të institucioneve tona, ku fusha specifike është ajo e albanologjisë, ku përfshihet Departamenti i Gjuhës, Antropologjisë dhe Arkeologjisë si një departament, e ai i historisë ku kjo implikon një veprim të punës tonë jo vetëm kërkimore por edhe pedagogjike” – tha Lelaj.

Tahir Latifi, shef i Departamentit  të Antropologjisë në UP, ka thënë se kjo marrëveshje nuk është dashur të përbënte lajm.

“Që nga themelimi i Departamentit të Antropologjisë ne kemi pasur bashkëpunim dhe nevojë për staf nga Tirana. Kështu që ka ekzistu një bashkëpunim, kemi organizuar konferenca, tryeza të përbashkëta etj.” – tha Latifi.