Çfarë përmban dhe nga kush u ideua atlasi etnografik i fshatrave të Kosovës?

Lumnie Kadria, nga Departamenti i Etnologjisë në Institutin Albanologjik, ka thënë se ky Institut e ka një përvojë shumë më të mirë të bashkëpunimit me Shqipërinë sesa institucionet e tjera në Kosovë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se pos rifreskimit të marrëveshjeve me Institutin Albanologjik të Shqipërisë, së fundi kanë bashkëpunuar edhe me atë të Maqedonisë së Veriut.

“Një projekt i cili është mjaft i rëndësishëm dhe jemi të kyçur, është atlasi etnografik i fshatrave në Kosovë” – tha Kadria.

“Atlasi do të thotë hartëzim i fshatrave, që e kanë ideu kolegë nga Tirana dhe bëhet identifikimi i fshatrave të caktuara sipas regjioneve etnografike, e me këtë nënkuptojmë ato regjione që karakterizohen me disa elemente të përbashkëta e që i dallojnë prej tjerave, p.sh. gjuha, dialekti, veshja” – tha ajo.

Këto dy institute kanë hulumtuar deri më tani 4 fshatra: Zymin, Brodin, Letnicën dhe Jezercin.