Harta e parë arkeologjike u bë nga arkeologët e Kosovës në bashkëpunim me ata të Tiranës

Arben Hajdari, arkeolog në Universitetin e Prishtinës, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka një traditë të gjatë bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës në fushën e arkeologjisë.

Ai shtoi se hartën e parë arkeologjike e kanë bërë bashkë me arkeologët nga Tirana.

“Vëllimi i parë i hartës arkeologjike është bërë menjëherë mbas lufte dhe është me rëndësi me theksu që është bërë me fonde nga Instituti i Arkeologjisë në Shqipëri. Kjo hartë ka përfshirë luginën e Drinit të Bardhë” – tha Hajdari.

Ai më tej tha se është vazhduar edhe me volumin 2 dhe 3 të hartës arkeologjike mes të dyja vendeve. Megjithëkëtë, ky bashkëpunim ishte shkëputur ndërkohë.

“Fatkeqësisht nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët dhe këto janë probleme që herë pas here na kanë ndjekur neve. Këtë bashkëpunim e kemi rifilluar me Universitetin e Tiranës më 2014 kur edhe është akredituar programi i arkeologjisë dhe profesorë nga Tirana kanë qenë bartës të këtij programi” – tha më tej ai.