Ministria e Diasporës: Regjistruam 200 Mijë Bashkatdhetarë

Në konferencën e mbajtur sot ministri Murati tha se njëri ndër projektet më sfiduese ishte hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës.

“Një nga projektet më të rëndësishme e ndërkohë më sfiduese të Ministrisë së Diasporës padyshim është hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës. Gjatë këtij viti ne kemi arritur të regjistrojmë rreth 200 mijë bashkatdhetarë,” tha Murati.

Murati e konsideroi arritje të rëndësishme të këtij viti edhe nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Shqipërinë  për organizimin të përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë si dhe memorandumin e bashkëpunimit mes ministrave të kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se Ministria e Diasporës ka punuar edhe  në zgjerimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës dhe u ka dalë në ndihmë investitorëve të rinj në Kosovë.

“Jemi pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe udhëheqim njërin nga grupet e punës-atë të tërheqjes së investimeve nga diaspora. Rreth 60 afaristë nga mbarë bota u mblodhën në Prishtinë dhe Tiranë të cilët kanë identifikuar mundësitë për investime në fusha të ndryshme,” tha Murati.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora kosovare sivjet në periudhën janar-shtator ka dërguar 655 milionë euro, ose 60 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/566-milione-euro-nga-mergimtaret-ne-2015-en/

Ministri Murati në konferencën e fundvitit me gazetarë tregoi se nga janari Ministria e Diasporës do të ketë vebfaqe të re që do të japë më shumë informata për bashkatdhetarët.