Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Basha i reagon Von Cramonit: U sillke si me qenë far komandante supreme
Vizita e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në veri të Kosovës, është komentuar nga deputeti i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Gjatë vizitës së saj, von Cramon ka takuar edhe policët që po qëndrojnë pranë ndërtesës së komunës në Zveçan.
“Pra ju jeni këtu 24/7 dhe ku është rreziku, çka dreqi ju solli juve këtu?” – ka qenë një nga pyetjet që ua ka bërë zyrtarëve policorë.
Kjo e çështjet e tjera që u diskutuan nga raportuesja për Kosovën në PE, deputeti Basha ka thënë se po i duket e pabesueshme.
“S’po mundem me besu çka pashë! Në lajme qendrore kish dal Viola von Cramon, një deputete e BE-së, duke ofenduar policët tanë në krye të detyrës në veri! U sillke si me qenë far komandante supreme!” – u shpreh deputeti.
Tutje ai ka thënë se gjithashtu nuk mund ta besojë se ‘ku e gjejnë guximin të sillën si kauboj në vend të huaj’.
“Ky është një mentalitet imperialist dhe i turpshëm. Paramendone një deputet të BE-së duke ofendu policinë gjermane!” – shtoi Basha.
Ndër të tjera ai tha se këso sjellje nuk kanë vend në, siç e quajti ai, Republikën e Albin Kurtit, pasi sipas tij nuk lejohet askush ta ofendojë Policinë në kryerjen e detyrave.
“Për besë ne mundemi me qenë të varfër, por s’ndjehemi aspak inferior dhe kemi policinë me shumë dinjitet” – theksoi deputeti Basha.
Von Cramon sot ka qëndruar pranë Komunës së Zveçanit, e më pas është shoqëruar edhe afër objekteve shkollore që gjenden mbrapa objektit komunal.
Në vazhdimësi ajo është përcjellë nga Aleksandar Arsenijoviq i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, i cili ia ka shpjeguar situatën që u krijua nga e premtja e deri më sot.
Ky i fundit e ka shpërndarë edhe një video në faqen e tij në Facebook.
Raportuesja për Kosovën në PE ka pasur një bisedë edhe me policët e Njësisë Speciale që gjenden aty.
Me aq sa dëgjohet në videon e publikuar nga Arsenijoviq, Von Cramon ka pasur disa pyetje për zyrtarët policorë.
Për pyetjen e lartshënuar iu është përgjigjur njëri nga policët duke i thënë se atyre u duhet t’i zbatojnë urdhrat që i marrin, përderisa raportuesja i ka thënë se e di që nuk është faji i tyre.
“E dimë, nuk është faji juaj, e di këtë, këta djem nuk janë përgjegjësit, pyetjet më duhet t’i bëj në Prishtinë” – dëgjohet tutje duke thënë Von Cramon.
“Dikush që është votuar dhe zgjedhur nga qytetarët do duhej të ishte i mirëseardhur” – shtoi tutje ajo.
kryeministri Albin Kurti, sot në mëngjes pati një takim me raportuesen për Kosovën në PE, e cila ishte e shoqëruar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë këtij takimi, Kurti e Von Cramon biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin paszgjedhor në katër komunat në veri të vendit.
Von Cramon në Zveçan i drejtohet policit: Ku është rreziku, çka dreqi ju solli këtu?