Drejtori i Departamentit për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka

Drejtori i Departamentit për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka

Komenti racist i zyrtarit të lartë të AAK-së: Dimal, merru me komunitetin tënd

Drejtori i Departamentit për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka duke komentuar një deklaratë të deputetit të LVV-së, Dimal Basha ka bërë një deklarim racist.

Blaka ka publikuar dy fotografi në Facebook me mbishkrimin “E kush e ka bo Ushtrinë o Dimal??? Merru me të drejta të komunitetit tënd. Ka kush merret me ushtri.”

Në fotografitë e postuara nga ai, njëra është e një shkrimi të një medie online që ka si fotografi deputetin e Vetëvendosjes Dimal Basha dhe mbishkrimin “Basha: Para Qeverisë Kurti, më shumë plumba kanë pasë komandantët në oda sesa ushtria”, fotografia tjetër është e një grupi të personave që besohet të jenë nga komunitetet Romë, Ashkanli ose Egjiptas.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Blaka vazhdon të pretendoj se nuk është raciste ajo cfarë ai ka shkruar.

“Ai kish thanë që gjoja ushtria tash ka plumba më shumë, e në kohën para neve gjoja se ma shumë kanë pas komandantët nëpër oda, na që gjuajmë nganjëherë, sesa ushtria. Kishe e kemi lënë ne ushtrinë keq, e veç ia kujtova ushtrinë e kanë bërë këta komandantët që po i qesh ai edhe me u marrë me komunitet të vetin” – deklaroi Blaka për Kallxo.com.

I pyetur nëse mendon që ajo cfarë ka thënë është raciste, ai e demanton.

“Jo more, një deputet që është prej minoritetit me u marrë me minoritetin. Bile unë nuk i kam thënë minoritet, i kam thënë komunitet, e kam nderu. Nuk është raciste sepse me qenë raciste, i kisha thënë gab**” – tha Blaka tutje.

Për fotografinë e postuar, Blaka thotë se ia ka dërguar dikush.

“Fotografia e tij me familjarë të vet të gjanë. Unë pikërisht pse kam shoqëri të komunitetit ashkali në Ferizaj, për ata ia gjuajta sepse ata nuk janë të kënaqur me të… Kjo nuk është raciste, Zot runa, mos ma ngjit qeto. Fotografia është origjinale, ma ka dërgu një person prej Fushë Kosovës, i të njëjtit komunitet është, e kam moti” – tha tutje mes tjerash Blaka.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me deputetin e LVV-së, Dimal Basha. Ai e ka vlerësuar postimit si racist, dersisa ka deklaruar se ai nuk është në fotografi.

“Nuk është foto e imja, e ka ba me photoshop a pale çka! Këtë djalin s’pe njoh, po komenti është racist, dhe tregon nivelin e tij. Paramendo një zyrtar i një grupi politik ka kësi bindje që ofendon komunitetet në vendin tonë, derisa ne vet dikur kemi qenë të diskriminuar dhe denigruar. Kjo tregon nivelin e lodhtë që e ka soji i tij” – tha Basha në një përgjigje për KALLXO.com.

“Për mu, edhe me i taku komunitetit pakicë nuk është marre, marre është me kanë racist!” –  tha Basha mes tjerash.

KALLXO.com ka kërkuar këtë fotografi në internet. Nga hulumtimi ynë del se fotografia që ka përdor Blaka sipas faqes fakeimagedetectos.com është fotografi e modifikuar apo e gjeneruar me kompjuter.

KALLXO.com ka kërkuar për këtë fotografi edhe në Tineye.com dhe ka gjetur se kjo fotografi fillimisht është publikuar disa herë në internet gjatë vitit 2013 dhe 2014 dhe se në fotografitë e publikuara është dikush tjetër në vend të fytyrës së deputetit Basha në fotografinë e publikuar nga Blaka.