Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Von Cramon i përgjigjet Dimal Bashës: Në vend që të më sulmoni mua, më mirë lexoni çfarë thotë pjesa tjetër e botës!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i është përgjigjur deputetit të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, pas kritikave që ky i fundit i pati për të.

Von Cramon gjatë ditës në vizitën e saj në veri të vendit ka takuar edhe policët që po qëndrojnë pranë ndërtesës së komunës në Zveçan.

“Pra ju jeni këtu 24/7 dhe ku është rreziku, çka dreqi ju solli juve këtu?” – ka qenë një nga pyetjet që ua ka bërë zyrtarëve policorë.

E për këtë deputeti Basha ka thënë se po i duket e pabesueshme.

“S’po mundem me besu çka pashë! Në lajme qendrore kish dal Viola von Cramon, një deputete e BE-së, duke ofenduar policët tanë në krye të detyrës në veri! U sillke si me qenë far komandante supreme!” – u shpreh deputeti.

Tutje ai ka thënë se gjithashtu nuk mund ta besojë se ‘ku e gjejnë guximin të sillën si kauboj në vend të huaj’.

“Ky është një mentalitet imperialist dhe i turpshëm. Paramendone një deputet të BE-së duke ofendu policinë gjermane!” – shtoi Basha.

E pas kësaj Viola von Cramon i është përgjigjur Dimal Bashës: “Më mirë të lexoni se çfarë thotë pjesa tjetër e botës në vend që të më sulmoni mua”.

Ajo po ashtu bashkëngjiti në këtë replikë edhe deklaratën nga ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në një deklaratë të përbashkët, vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të reja për t’u qasur në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në deklaratë thuhet se veprime të reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e QUINT-it dhe të BE-së.