Von Cramon në Zveçan i drejtohet policit: Ku është rreziku, çka dreqi ju solli këtu?

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në veri të Kosovës.

Ajo ka qëndruar pranë Komunës së Zveçanit, e më pas është shoqëruar edhe afër objekteve shkollore që gjenden mbrapa objektit komunal.

Në vazhdimësi ajo është përcjellë nga Aleksandar Arsenijoviq i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, i cili ia ka shpjeguar situatën që u krijua nga e premtja e deri më sot.

Ky i fundit e ka shpërndarë edhe një video në faqen e tij në Facebook.

Raportuesja për Kosovën në PE ka pasur një bisedë edhe me policët e Njësisë Speciale që gjenden aty.

Me aq sa dëgjohet në videon e publikuar nga Arsenijoviq, Von Cramon ka pasur disa pyetje për zyrtarët policorë.

“Pra ju jeni këtu 24/7 dhe ku është rreziku, çka dreqi ju solli juve këtu?” – ka qenë një nga pyetjet e saj.

Njëri nga policët i përgjigjet asaj duke i thënë se atyre u duhet t’i zbatojnë urdhrat që i marrin, përderisa raportuesja i ka thënë se e di që nuk është faji i tyre.

“E dimë, nuk është faji juaj, e di këtë, këta djem nuk janë përgjegjësit, pyetjet më duhet t’i bëj në Prishtinë” – dëgjohet tutje duke thënë Von Cramon.

“Dikush që është votuar dhe zgjedhur nga qytetarët do duhej të ishte i mirëseardhur” – shton tutje ajo.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, sot në mëngjes pati një takim me raportuesen për Kosovën në PE, e cila ishte e shoqëruar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë këtij takimi, Kurti e Von Cramon biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin paszgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

Të premten pati tensione në veri të Kosovës. Tre kryetarët e rinj Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan e Lulzim Hetemi në Leposaviq u futën në objektet komunale të këtyre qyteteve.

Veprimi i tyre u kundërshtua nga qytetarët serbë, të cilët u mblodhën para komunave, e për të shpërndarë turmën, zyrtarët policorë u detyruan të përdorin edhe gaz lotsjellës.

Përpos kësaj, në mesin e qytetarëve të mbledhur u panë edhe persona të maskuar, e madje edhe u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

Pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore, e disa vetura të Policisë u dëmtuan.

Dje dhe sot, situata duket e qetë në tri komunat.

Ekipi i KALLXO.com gjatë këtij vikendi ka qëndruar në veriun e Kosovës.

Edhe Policia e Kosovës ka vlerësuar që në veri të vendit po mbizotëron situatë e qetë.