Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
VIDEO - Dimal Basha-opozitës: Unë kur dal më folë për Amerikën, këta tuten këtu
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha është deklaruar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me situatën në veri të vendit dhe raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bashka u ka drejtuar opozitës duke ju thënë se kur ai flet për Amerikën, opozita frikësohet.
“Une kur të dal me folë për Amerikën, këta tuten këtu”- ka deklaruar Basha.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas i përmendi Bashës shkollimin në Amerikë duke pretenduar se deputeti di diçka më shumë për të treguar.
“Jo thash, je shkollu në Amerikë ti din diçka me na kallxu po menoj”- ka replikuar Konjufca.
Deputeti Basha ka folur në lidhje me kërkesat e Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të cilat ai i ka quajtur si të pasinqerta ndaj Kosovës.
“Borrelli përmendi zgjedhje të reja. Zgjedhejt që janë mbajtë kanë qenë të reja. E dyta, me siguru pjesëmarrjes e serbëve në këto zgjedhje. Çka me bo ne, me shku me zor me i kapë a, s’po e kuptoj. Ai duhet me shku këtë me ja thënë Vuçiqit se ai ka thënë mos dilni, kryeministri Kurti ka thënë dilni dhe votoni”- tha ai.
“Prej krejt marrëveshjes, sytë e Borrellit në Asociacion. A ka more najkush prej opozitës që del e thotë, o keq e ki more nuk ka lidhje që je në BE. Pse more po tuteni. Kërkesat e tij janë të pasinqerta ndaj Republikës Kosovës”- shtoi Basha.
Më tej, Basha ka thënë se Borrell nuk ka deklaruar ndonjë gjë në lidhje me shuarjen e strukturave kriminale, as për zbatim të marrëveshjes për të pagjeturit dhe as për rrymën në veri.
“Asnjë fjalë e Borrellit për shuarjen e strukturave kriminale, as për zbatim të marrëveshjes për të pagjeturit, as për rrymën, as për 39 marrëveshjet tjera. Kaniher po shoh sikur Borrelli na e ka dhënë Kosovën si dhuratë”- tha mestjerash Basha.
Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.
Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.
SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.