Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Balotazhi në Shtime, Ismajli thotë se janë duke bërë analiza ku kanë qenë 'të dobët'

Në mesin e 21 komunave që kanë shkuar në balotazh pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, është edhe Shtimja.

Që nga viti 2009, kjo komunë është udhëhequr nga Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Naim Ismajli do të ballafaqohet në rundin e dytë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Qemajl Aliun.

Ismajli në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com u shpreh i bindur që nga kjo garë e dytë do të dalin fitues, teksa shtoi se janë duke bërë analiza “ku kanë qenë më të dobët”.

“Unë po besoj që realisht ne kemi rezultatin pa balotazh. Cili ka qenë fakti ose arsyeja, nuk mund ta kemi ndonjë shpjegim për momentin, jemi duke bërë analiza ku kanë qenë rezultatet më të dobët. Besojmë që rundin e dytë ta fitojmë, edhe ashtu kemi dalë partia më e votuar, kemi numrin më të madh të kandidatëve. Më 14 nëntor do të dalim fitues. Ky do të jetë një angazhim i yni, do të bisedojmë me qytetarët, siç kemi bërë në rundin e parë. Platforma ime është përtej një subjekti politik, është për qytetarët”, tha ai.

Ai shtoi se nuk ka pasur biseda me partitë e tjera për ndonjë koalicion të mundshëm.

Naim Ismajli kishte shkuar në balotazh edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2017.

Në zgjedhjet e 2021-ës, Naim Ismajli mori 44.64% kurse Qemajl Aliu LVV 45.10%.