Thyhet bastioni 20-vjeçar i PDK-së në Shtime

185 vota të qytetarëve të Shtimes i dhanë fitoren Qemajl Aliut të Lëvizjes Vetëvendosje në balotazhin e 14 nëntorit dhe thyen bastionin 20-vjeçar të Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e cila u qeveris për tre mandate nga Naim Ismajli.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu doli i pari në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit me 50,67% apo 7,029 vota duke lënë prapa Naim Ismajlin me 49.33% apo 6,844 vota.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, janë mbajtur tri palë zgjedhje lokale e Shtimja ka qenë komuna që është qeverisur nga i njëjti politikan që nga viti 2009.

Në zgjedhjet e katërta, Ismajli nuk arriti që të bind qytetarët për të fituar besimin e tyre edhe për një mandat tjetër.

Kjo nuk ishte hera e parë që Naim Ismajli shkoi në balotazh. Në zgjedhjet e kaluara e sfidoi për të parin e komunës, Fatmir Rashiti ish-nënkryetar i Komunës së Shtimes.

Historia e fitores së Naim Ismajlit në zgjedhjet lokale ndër vite

Në vitin 2007, Naim Ismajli ishte zgjedhur për herë të parë Kryetar i Komunës me 71.52 përqind të votave duke lënë dukshëm pas kandidatin në atë kohë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ahmet Ahmeti me 28.48 përqind të votave.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u  mbajtën zgjedhjet tjera ato në vitin 2009 të cilat u organizuan tërësisht nga institucionet në Kosovë si shtet i ri.

Në zgjedhjet e para pas pavarësisë për të parin e Komunës së Shtimes në vitin 2009, kishin kandiduar pesë kandidat nga parti të ndryshme politike.

Ismajli kishte lënë pas kandidatët e tjerë dhe kishte fituar 50.62 përqind të votave.

Edhe në vitin 2013, Naim Ismajli fitoi zgjedhjet pa balotazh me mbi 50% të votave, duke lënë prapa vetes në listë Fatmir Zymerin nga LDK e Enver Ademin nga LVV.

Zgjedhjet e vitit 2017, ndryshuan, nga mbi 50% të votuesve që kishte vite më parë, Ismajli ra nën 40%.

Naim Ismajli edhe në vitin 2017 u radhit i pari me 38.61% të votave ndërsa Fatmir Rashiti si kandidat i pavarur fitoi balotazhin me 26.92% të votave.

Ky ishte balotazhi i parë për Ismajlin, ndërsa 14 nëntor do të jetë balotazhi i tij i dytë.

Pasuria ndër vite e Naim Ismajlit

Në vitin 2010, kryetarët e Komunave të Kosovës për herë të parë filluan raportimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit të cilat më pas u bënë publike në uebfaqen e tyre.

Në vitin 2010, Naim Ismajli kishte raportuar një pasuri të paluajtshme në vlerë të 350 mijë eurove ku hynin një banesë dhe një truall në emër të Ismajlit dhe dy toka e një mal në emër të përbashkët me vëllezërit e tij si trashëgimi nga prindërit.

Në të njëjtin vit, Ismajli posedonte një veturë të tipit pasat vlera e së cilës ishte 15 mijë euro atë kohë.

Edhe në deklarimin e viteve, 2010-2014 te pasuria e paluajtshme, Ismajli kishte deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë të njëjtë, ndërsa në vitin 2011 kishte ndërruar veturën nga tipi pasat në atë të tipit Mercedes vlera e së cilës në atë kohë ishte 15 mijë euro njësoj si ajo që kishte.

Në vitin 2013 pasuria e paluajtshme e Ismajlit ishte e njëjtë ndërsa te pasuria e luajtshme ai kishte deklaruar dy vetura, vlera e të cilave ishte 33 mijë euro.

Në vitin 2014 ai kishte deklaruar vetëm një veturë të tipit Audi A6 vlera e së cilës ishte 18 mijë euro.

Në vitin 2015, Naim Ismajli pati deklaruar se nga banesa ka dalë në shtëpi vlera e së cilës ishte 60 mijë euro. Në këtë vit ishte shtuar shtëpia për dallim me vitet paraprake.

Te pasuria e paluajtshme kishte deklaruar një veturë në vlerë të 15 mijë eurove në emër të tij personal.

Në vitin 2016 vlera e pasurisë së paluajtshme e Naim Ismajlit ishte rritur dukshëm. Në këtë vit ai kishte deklaruar më shumë se gjysmë milioni euro, për toka bujqësore, trualle, shtëpinë personale. Në po atë vit ai kishte deklaruar edhe një shtëpizë vikendi të cilën kishte thënë se e ka blerë me kredi në vlerë të 45 mijë eurove.

Vetura në vitin 2016 ishte e njëjta e vitit paraprak e cila kushtonte në vlerë të 15 mijë eurove.

NË vitet 2017-2018 pasuria e paluajtshme ishte e njëjtë ndërsa në vitin 2018 Naim Ismajli kishte shtuar edhe një veturë familjare që kushtonte 4 mijë euro. Në total ai posedonte atë vit, 2 vetura në vlerë të 19 mijë eurove.

Në vitin 2019 ai kishte deklaruar pasurinë e njëjtë të paluajtshme prej 513 mijë eurove dhe një veturë të tipit Polo vlera e së cilës ishte 4 mijë euro.

 Në vitin 2020 ai ka deklaruar edhe dy vetura njëra në emër të djalit të tij e cila kushtonte 5 mijë euro.

Këtë vit, Ismajli ka deklaruar një pasuri të paluajtshme të njëjtë me vitin e kaluar dhe veturën që është në emër të fëmijëve në vlerë të 5 mijë eurove.

Përveç tokave, shtëpive, Ismajli këtë vit ka deklaruar edhe 70 përqind të aksioneve të një lokali në Shtime e cila sipas deklarimit është në emër të fëmijëve.

Karriera e Naim Ismajlit

Karriera politike e Naim Ismajlit nuk kishte nisur me zgjedhjet e para lokale të 2009.

Para se të mbaheshin zgjedhjet atij viti, Ismajli veçse kishte ushtuar detyrën e kryetarit të Komunës së Shtimes në 2009.

Ndërsa para saj për më shumë se 6 vjet kishte mbajtur rolin e Kryeshefit Ekzekutiv në Kuvendin Komunal të Shtimes, pozitë e cila nuk ekziston që nga viti 2009.

Ndërsa menjëherë pas luftës, ishe zgjedhur Drejtor i Kooperativës Bujqësore në Shtime, ndërsa në vitet 2000-2001, ishte Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient në po të njëjtën komunë.

Kujtojmë se Naim Ismajli në vitin 2019 kandidoi edhe për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, por se nuk mori votat e mjaftueshme për të siguruar ulëse në Kuvend.

Ismajli kishte provuar të bëhet deputet në zgjedhjet e parafundit parlamentare, të 6 tetorit të 2019.

Në komunën që ai e udhëhiqte, kishte marrë Ismajli mori 2,261 vota, ndërsa më shumë se ai kishte marrë kandidati për kryeministër i PDK-së në atë kohë, Kadri Veseli që iu kishin besuar 3 362 vota të qytetarëve të Shtimes.

Ndërsa në nivel vendi, Naim Ismajli kishte marrë 4 mijë e 290 vota.

Në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit ka marrë 6 mijë e 726 vota.