Naim Ismajli përsëri kandidat i PDK-së për zgjedhjet lokale në Shtime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Naim Ismajlit për kryetar të Komunës së Shtimes.

Në një konferencë për media Hoxhaj nga Shtimja ka ftuar qytetarët t’i ndëshkojnë me vota “mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia”.

Hoxhaj ka thënë se historia e shkruar së bashku me PDK-në në Shtime, është modeli i mirë i qeverisjes, i këtij qyteti që “nga një provincë e vogël dhe e diskriminuar, është kthyer në një qytet urban, të zhvilluar e aktiv”.

Hoxhaj tutje ka shtuar se nën udhëheqjen e PDK-së, Shtimja është vlerësuar si një ndër komunat me performancën më të mirë në Kosovë nga institucionet qendrore në bashkëpunim me ambasadat e huaja, si dhe për mbajtjen e premtimeve elektorale në masë prej 100 për qind, ka 95 për qind të infrastrukturës rrugore të përfunduar, pjesëmarrje në vendimmarrje të gruas me 50 për qind, 14 objekte të reja shkollore, Zonë Ekonomike me 12 biznese funksionale, mes tyre 2 biznese ndërkombëtare, administratë profesionale efikase, parqe të reja, trotuare dhe terrene sportive për secilin vendbanim.

“Këto të arritura e kanë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryetarit të saj, njeriut më meritor, z Naim Ismajli të cilin do ta kemi në garë edhe për një mandat 4 vjeçar. Jam i lumtur që pa ndonjë hezitim ta konfirmojmë e zyrtarizojmë këtë kandidaturë vetëm e vetëm që t’i vazhdojmë punët e mira në Shtime, që të nisim projekte të reja dhe këtë model të mirë të zhvillimit ta përhapim pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti edhe në komunat e tjera.”, ka thënë Hoxhaj.