Historia e përmbysjes së rezultatit zgjedhor në Shtime

Në të gjitha zgjedhjet lokale që janë mbajtur në Kosovë që nga paslufta, Partia Demokratike e Kosovës është renditur partia e parë në Shtime. Kjo ndryshoi natën e 17 tetorit, kur kandidati për kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Qemajl Aliu, la mbrapa kandidatin e PDK-së, Naim Ismajlin për më pak se 1%.

Komuna e Shtimes me gjithsej 27 mijë e 324 banorë tash e 12 vite është udhëhequr nga i njëjti politikan.

Naim Ismajli i PDK-së në tri palë zgjedhje lokale të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë kishte dalë bindshëm kandidati më i votuar.

Mirëpo, në zgjedhjet e katërta lokale, për herë të parë, Naim Ismajli u rendit i dyti për nga besimi i marrë në zgjedhje.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në Shtime, kandidati më i votuar është Qemajl Aliu i LVV-së me 45.10&, ndërsa i dyti, Naim Ismajli nga PDK me 44.64%.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Naim Ismajli e Qemajl Aliu pritet të jenë edhe njëherë në garë për të marrë besimin e mbi 50% të qytetarëve për të marrë kështu drejtimin e Komunës.

Kjo nuk është hera e parë që Naim Ismajli do të shkojë në balotazh. Ai kishte qenë në këtë situatë edhe në zgjedhje e kaluara.

Në 2017, Naim Ismajli ishte shkuar në balotazh me njërin prej bashkëpunëtorëve të tij më të mirë, por që dallimet politike i kishin detyruar të ndaheshin pak javë para zgjedhjeve.

Nënkryetari i komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti e çoi për herë të parë në balotazh, Naim Ismjalin, por që në fund ai arrinte ta siguronte mandatin e tretë radhazi si kryetar komune

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2009, Kosova mbajti për herë të parë zgjedhjet lokale për kryetar të komunës e për Kuvend Komunal.

Edhe në 2009 edhe në 2013, Naim Ismajli kishte marrë mbi 50% të votave. Këto rezultate të larta të tij, e bënin Shtimen si njërin prej bastioneve të PDK-së.

Mirëpo, karriera e politikanit lokal për Naim Ismajlin nuk kishte nisur me zgjedhjet e para lokale të 2009.

Para se të mbaheshin zgjedhjet atij viti, Ismajli veçse kishte ushtuar detyrën e kryetarit të Komunës së Shtimes në 2009.

Ndërsa para saj për më shumë se 6 vjet kishte mbajtur rolin e Kryeshefit Ekzekutiv në Kuvendin Komunal të Shtimes, pozitë e cila nuk ekziston që nga viti 2009.

Ndërsa mënjëherë pas luftës, ishe zgjedhur Drejtor i Kooperativës Bujqësore në Shtime, ndërsa në vitet 2000-2001, ishte Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient në po të njëjtën komunë.

Kujtojmë se Naim Ismajli në vitin 2019 kandidoi edhe për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, por se nuk mori votat e mjaftueshme për të siguruar ulëse në Kuvend.

Ismajli kishte provuar të bëhet deputet në zgjedhjet e parafundit parlamentare, të 6 tetorit të 2019.

Në komunën që ai e udhëhiqte, kishte marrë Ismajli mori 2,261 vota, ndërsa më shumë se ai kishte marrë kandidati për kryeministër i PDK-së në atë kohë, Kadri Veseli që iu kishin besuar 3 362 vota të qytetarëve të Shtimes.

Ndërsa në nivel vendi, Naim Ismajli kishte marrë 4 mijë e 290 vota.

Garat e Naim Ismajlit dhe PDK-së ndër vite

Në zgjedhjet e vitit 2009, Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës kishte marrë 50.62% të votave të qytetarëve shtimjan.

Pas tij ishin radhitur Ismail Hasan nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.87% të votave e Enver Ademi nga Lidhja Demokratike e Dardanisë në atë kohë me 14.38% e votave.

Edhe në vitin 2013, Naim Ismajli fitoi zgjedhjet pa balotazh me mbi 50% të votave, duke lënë prapa vetes në listë Fatmir Zymerin nga LDK e Enver Ademin nga LVV.

Zgjedhjet e vitit 2017, ndryshuan, nga mbi 50% të votuesve që kishte vite më parë, Ismajli ra nën 40%.

Naim Ismajli edhe në vitin 2017 u radhit i pari me 38.61% të votave ndërsa Fatmir Rashiti si kandidat i pavarur fitoi balotazhin me 26.92% të votave.

Ky ishte balotazhi i parë për Ismajlin, ndërsa 14 nëntor do të jetë balotazhi i tij i dytë.

Ismajli në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com u shpreh i bindur që nga kjo garë e dytë do të dalin fitues, teksa shtoi se janë duke bërë analiza “ku kanë qenë më të dobët”.

“Unë po besoj që realisht ne kemi rezultatin pa balotazh. Cili ka qenë fakti ose arsyeja, nuk mund ta kemi ndonjë shpjegim për momentin, jemi duke bërë analiza ku kanë qenë rezultatet më të dobët. Besojmë që rundin e dytë ta fitojmë, edhe ashtu kemi dalë partia më e votuar, kemi numrin më të madh të kandidatëve. Më 14 nëntor do të dalim fitues. Ky do të jetë një angazhim i yni, do të bisedojmë me qytetarët, siç kemi bërë në rundin e parë. Platforma ime është përtej një subjekti politik, është për qytetarët”, tha ai.

Ai shtoi se nuk ka pasur biseda me partitë e tjera për ndonjë koalicion të mundshëm.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2000, PDK në Shtime kishte marrë 49.3% të votave.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2002 , PDK në Shtime kishte marrë më shumë se gjysmën e votave. Sipas rezultateve zyrtare të atij vitit, PDK kishte marrë 52.74% të votave.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, PDK në Shtime kishte marrë 46.17%, duke u pasuar nga LDK me 15.16%