Bajrami – Qeverisë: Dasmat mundeni me i organizu në institucione, se krejt familjarët aty i keni

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka adresuar një sërë kritikash në drejtim të Qeverisë Kurti lidhur me punën 2-vjeçare të ekzekutivit.

Bajrami ka akuzuar Qeverinë Kurti për punësim të familjarëve në institucione teksa ka përmendur një premtim të kryeministrit Kurti gjatë fushatës zgjedhore.

“Keni ardhë në pushtet më kartën e meritokracisë, kryeministri thojke që familjarët janë për dasma, e tash lirisht mundeni dasmat me i organizu në institucione sepse krejt familjarët i keni aty. Sot gjysmën e institucioneve i keni jo funksionale. Nuk jeni në gjendje që dy vjet me e vendos një kryeprokuror të shtetit”- ka thënë Bajrami.

Deputetja e LDK-së, tutje ka thënë se nuk është realizuar asnjë nga premtimet e Qeverisë Kurti.

“I keni fitu votat se zajednica nuk kalon, as asociacioni, keni premtu qe keni me heq TVSh-në, keni premtu zero tatim për pagën minimale, keni premtu çerdhe, banesa për çifte të reja, keni premtu ura, hekurudha, drejtësi dhe punësim dhe ku jemi pas dy viteve. Asociacioni kaloj, çmimi i rrymës u ngrit, TVSh nuk u hoq, Serbia u bë partneri kryesor tregtar,  paga minimale është e njëjta, prej 160 çerdheve nuk është ndërtu asnjë, banimi social nuk ka përfundu, nuk ka asnjë projekt infrastruktutor”- ka thënë ajo.

Bajrami ka kritikuar qeverinë edhe për sipas saj, mos funksionimin e insitucioneve të cilat kanë mbetur pa udhëheqës.

“Duhet me ju ardhë turp për votat që i keni marrë prej krejt qytetarëve”- është shprehur Bajrami në Kuvend.

Lidhur me fjalimin e saj, ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili ka thënë se Bajrami në këtë fjalim ka thënë shumë pasaktësi.

“Si mund të bëni deklarime të tipit asociacioni u bë, ku është asociacioni me cilin vendim, banka zhvillimore, fondi sovran do të bëhen dhe të gjitha e kanë kohën e tyre procedurën e realizimit, nuk mundeni me shpallë të dështuar një qeveri për gjysmë mandati për premtime që janë bërë për një mandat”- ka thënë Çeku.

Kuvendi sot po vazhdon punimet e seancës plenare e cila ka mbetur e papërfunduar dje e që në rend dite ka debatin parlamentar për dy vjetorin e Qeverisë Kurti.