Kryetari i SPSPK, Jusuf Azemi gjatë konferencës. Foto: KALLXO.com.

Azemi: Kosovën po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi si pikë për ikje në perëndim

Kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka folur sot për tregun e punës në Kosovë duke theksuar se ikja e punëtorëve po vazhdon.

Ai ka thënë se Kosovën po e frekuentojnë punëtorë nga Bangladeshi.

Sipas tij, deri më tani në Kosovë kanë ardhur rreth 500 punëtor nga Bangladeshi, të cilët Kosovën po e shohin si pikë tranzicioni për ikje në perëndim.

“Në Kosovë kemi treg të çrregulluar, punëtorët tani po zgjedhin. Nuk është koha kur pronarët e kompanive kanë thënë se nëse dëshiron të punosh mirë, nëse jo tjetri është duke pritur te dera. Nga Qeveria e Kosovës nuk kemi asnjë lëvizje për rritjen e pagës minimale. Kosova tani për tani është një vend të cilin po e frekuentojnë punëtorët nga Bangladeshi. Deri tani rreth 500 punëtorë kanë ardhur deri tani. Këta nuk vijnë për të punuar, por Kosovën e shohin si pikë tranzicioni për ikje në perëndim”- është shprehur Azemi.

Ai tutje ka folur edhe për kushtet e punës të punëtorëve në sektorin privat.

Ndërsa, ka shtuar se kjo sindikatë nuk ka pothuajse fare dialog me Qeverinë e Kosovës.

“S’kemi kontratë kolektive, s’kemi sigurime shëndetësore. S’po shohim perspektivë në vendin tonë për të punuar. Qeveria se ka bërë punën më të vogël për parandalim e ikjes se punëtorëve. S’po kemi dialog pothuajse fare si partnerë me Qeverinë e Kosovës. Gjithçka që kërkohet nga Sindikatat Qeveria e sheh si kërkese kundërshtuese”- ka shtuar Azemi.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kanë shprehur në vazhdimësi pakënaqësitë e tyre lidhur me çështjen e të drejtave të punëtorëve të këtij sektori.

Zhgënjimi dhe kërkesat e sektorit privat ndaj Qeverisë