Avokati i kryeshefit të KEK-ut thotë se do ankohet për ndalimin e Krasniqit

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.

Avokati i Krasniqit, Taulant Ferizi, në një deklarim për Kallxo.com tha se do bëjnë ankesë pasi nuk janë plotësuar kushtet që klienti i tij të jetë në mbajtje.

“Klienti momentalisht është në mbajtje, do paraqesim ankesë e cila do shqyrtohet nga Gjykata Themeore në Prishtinë për të vlerësuar nëse janë plotësuar kushtet për mbajtjen e tij, e që sipas nesh, nuk është plotësuar asnjë prej tyre”- deklaroi Ferizi.

Tutje, ai shtoi se veprat për të cilat dyshohet Krasniqi kanë të bëjnë me dy kontrata në sektorin e prokurimit të lidhura mes KEK-ut dhe operatorëve ekonomik.

“Në deklarimin e Prokurorisë Speciale janë të renditura tri vepra penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit dhe konflikt i interesit’ që kanë të bëjnë më dy kontrata në sektorin e prokurimit të lidhura mes KEK-ut dhe operatorëve ekonomik”- shtoi tutje ai.

Policia e Kosovës ka kryer sot një kontroll në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut pati edhe reagime nga partitë opozitare PDK dhe LDK, krerët e të cilave deklaruan se ky arrestim dëshmon abuzimet e qeverisë në sektorin e energjisë.

 

Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale