AUV-i mbyll një bufe të ministrive dhe gjobitë një tjetër në objektin e ish-Rilindjes

Ministria të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka inspektuar bufet që gjenden në objektit e ish-Ndërmarrjes “Rilindja” duke mbyllur një dhe gjobitur një tjetër, për mos respektim të ligjit për duhanin. Aty janë të vendosur stafi i disa ministrive.

Sipas AUK-ut aksioni për kontrollin në këto dy bufe është bërë duke u bazuar në kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci për zbatueshmërinë e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

“Në inspektimin e bërë para disa ditësh, njëra hapësirë e cila ka shërbyer si bufe është mbyllur sipas paragrafit 1 të nenit 11 të Ligjit Nr. 04/L-156, ndërsa tjetra është gjobitur për shkelje të ligjit më fjalë. Për të gjitha këto veprime janë të njoftuar menaxherët e këtyre bizneseve dhe po ashtu edhe zyrtarët kryesorë administrativ të institucioneve të cilët do të ndërmarrin masa disiplinore ndaj zyrtarëve dhe personave që kanë shkelur ligjin brenda hapësirave të cilat janë nën menaxhim të tyre, sipas paragrafit 1.2 të nenit 11 të këtij ligji”- thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV bën të ditur se hapësirat e lartpërmendura janë inspektuar edhe më parë dhe për subjektet janë dërguar fletëparaqitjet për gjykatë.

AUV thotë se do të vazhdojë me inspektimet me frekuencë të shtuar.