Jeton Mehmeti

KPM: Shkëputja e kontratave me operatorët nuk parashihet në rregulloret tona, përgjegjësia është e ARKEP

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, ka thënë se në rregulloret e këtij institucioni nuk përcaktohet rasti i shkëputjes së kontratës nga ana e klientit – me operatorët televiziv, në momentin kur nuk ofrohen shërbimet sipas kontratës.

Mehmeti tha se kjo parashihet në rregulloret e Autoritetit Rregullativ për Shërbime të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i cili institucion, tha Mehmeti, duhet ta marrë përgjegjësinë.

“..sepse kontratat aktuale që kanë klientët janë të bazuara në rregulloren e një institucioni tjetër, që është ARKEP. Rregulloret e KPM-së nuk parashohin qëndrimin në kontratë për 9 muaj, 12 apo 24 muaj. Nuk parasheh shkëputje të kontratës apo vazhdim, kur mungojnë disa shërbime. Për këto ne mund ta njoftojmë ARRKEP se kemi hasur në shkelje të rregulloreve tona dhe pastaj ata ta marrin përgjegjësinë që të iu mundësohet më pastaj klientëve të cilët kanë nënshkruar kontratat, që të iu mundësohet shkëputja e kontratës” – ka thënë Mehmeti.

Jeton Mehmeti paralajmëroi plotësim-ndryshimin e rregullores së KPM-së, për të cilën tha se do të ketë dëgjim publik dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të shprehin shqetësimet e tyre.

Sot KPM ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë, me 64 mijë euro operatorin ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatorin kabllor ‘Kujtesa’, me 7 mijë euro operatorin ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro operatorin ‘Telkos’.

Kjo pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

KPM dënon me gjobë Artmotion, Kujtesën, Ipkon dhe Telkosin pas ankesave të qytetarëve