Ujmani

Foto : Denis Sllovinja

ZRrE gjobit 'HC Ujmanin' me 110 mijë euro për një kontratë të shitjes së energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka shqiptuar gjobë 110 mijë euro hidrocentralit të Ujmanit e cila është në kuadër të ndërmarrjës së ‘Ibër Lepenc’.

Kjo për shkak të një kontrate që HC Ujmani kishte lidhur në maj të vitit 2019 për shitjen e energjisë elektrike.

Sipas kontratës, HC Ujmani do t’i shiste energji elektrike palës tjetër për një vit, por ZRrE ka gjetur se Ujmani ka vazhduar shitjen e energjisë edhe pas kësaj date, përkatësisht deri më 31 dhjetor të 2020.

“Hidrocentrali Ujmani në kuadër të ndërmarrjes ekonomike, ‘Ibër Lepenc’ kishte hapur tender për shitjen e energjisë me që rast kishte lidhur kontratë një vjeçare, nga 17 maj 2019 deri më 16 maj 2020 ku si model është përdorur kontrata kornizë e Federatës së energjisë. Në datën 20 maj 2020 palët kanë vazhduar kontratën, duke e zgjatur liberimin e energjisë deri më 31 dhjetor 2020. Pas shqyrtimit dhe monitorimit, raporti është dërgu tek ‘Iber Lepenc’ dhe ka kërkuar nga operatori të ofroj përgjigje me shkrim. Me datën 2 nëntor të vitit 2020 HC Ujmani ka dërgu komentet duke dhënë arsyetime për vazhdimin e afatit për liberimin e rrymës. Bordi ka konstatuar se hidrocentrali në asnjë rast dhe me asnjë fakt nuk ka mundur ta kundërshtoj apo argumentoj raportin me të gjeturat. Vazhdimi i liberimit të rrymës ka ndodhur vetëm për arsye të mos përmbushjes së marrëveshjes kontraktuale kështu duke bërë shkelje për  tregtim të energjisë”, tha Skender Muqolli nga departamenti i tregut në ZRrE.

Ndërkaq nga zyra ligjore e ZRrE kanë propozuar që gjoba të jetë 5 përqindëshi i prodhimit të energjisë elektrike të vitit paraprak që sipas llogaritjeve është 110 mijë e pesë euro.

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit i cili konstatoi miratimin e këtij propozimi tha se qëllimi është të disiplinojë operatorin.

“Qëllimi i ZRrE është që të disiplinojë operatorin që të sillet në raport me legjislacionin në fuqi. Kjo masë e gjobës do të ndikoj që të mos e fusin në obligime ndërmarrjen. Siç e cekem qëllim ynë nuk është dëmtimi i ndërmarrjes”, tha Fejzullahu.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.