Foto: Denis Reznik

Autoritetet ukrainase: Ka shenja të rritjes së niveleve të rrezatimit në Çernobil

Autoritetet e Ukrainës kanë bërë të ditur sot se ka shenja të rritjes së niveleve të rrezatimit në Çernobil.

Sipas medias ndërkombëtare, Sky News, agjencia bërthamore e Ukrainës ka thënë se po regjistron nivele të rritura të rrezatimit në Çernobil, vendi i centralit famëkeq bërthamor.

Megjithatë, Agjencia tha se rritja është “e parëndësishme” dhe e shkaktuar nga pluhuri i ngritur nga Rusia që lëviz në pajisjet e saj ushtarake.

Rusia pushtoi zonën e Çernobilit dje, duke shkaktuar shqetësim të veçantë.

Centrali bërthamor ishte shkaku i asaj që konsiderohet fatkeqësia më e keqe bërthamore në botë në vitin 1986.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
Britania tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që të ndihmojë Kievin “që të përballojë agresionin rus”.

Kurse, sot është raportuar se kryeqyteti Ukrainas ka përjetuar një natë të gjatë me bombardime nga distanca nga forcat ruse.

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se kryeqyteti i Ukrainës ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.

Përgatiti: Arbisa Shefkiu