Ilustrim

Auditori: Në dy raste te Ministria e Infrastrukturës pati tejkalim të vlerës së kontratave për mbi 1 milion euro

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se te Ministria e Infrastrukturës në të paktën dy raste ka pasur tejkalim të vlerës së kontratave, për mbi 1 milion euro.

Sipas raporti të ZKA-së, kjo është bërë për shkak se ministria ka përdorur kontratat publike kornizë me çmim për njësi dhe përkundër rregullave ka aplikuar tavanin plus/minus 30% dhe kjo ka rezultuar me tejkalim të vlerës së këtyre kontratave për 1 milion e 169 mijë e 651 euro, për të dy kontratat.

Projekti i parë ishte për ‘Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e auto udhës A6 Arbër Xhaferi, segmenti Konjuh-Doganaj’ e cila ishte nënshkruar me 11 mars 2019, me çmim për njësi prej 200 euro.

Auditori ka gjetur se si pasojë e aplikimit të pragut 30% për këtë kontratë, vlera e saj për tre vite është tejkaluar për 724 mijë e 375 euro.

Tejkalim të vlerës së kontratës është vërejtur prapë tek ky projekt, por kësaj here te segmenti Doganaj – Han i Elezit, që ishte nënshkruar me 5 qershor 2019. Sipas ZKA-së këtu çmimi për njësi ishte 81.24 euro, ndërsa si pasojë e aplikimit të pragut 30%, vlera e kontratës është tejkaluar për 645 mijë e 276 euro.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e mos funksionimit të duhur të kontrolleve lidhur me pajtueshmërinë ligjore gjatë realizimit të kontratave me çmim për njësi” – thuhet në Raport.

Rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Audimit për Ministrinë e Infrastrukturës, është se ministri duhet të sigurojë përmes zyrtarëve përgjegjës kontrolle të duhura në respektimin e dispozitave ligjore, përkatësisht kushteve të pagesave të parapara sipas llojit të kontratave, në mënyrë që të mos krijohen shpenzime përtej planifikimit të tyre kontraktual.

Me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ministria është pajtuar.

Ndërsa në në krahasim me vitin paraprak, nga 25 rekomandime kryesore që i ishin bërë Ministrisë, sipas ZKA-së, shtatë prej tyre ishin zbatuar, një rekomandim më nuk ishte i aplikueshëm dhe tre ishin zbatuar pjesërisht. Ndërsa 14 rekomandime të tjera nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë të auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU.