Ilustrim, Foto: REL/Shutterstuck

Auditori: Disa punëtorë të Telekomit kanë pasur qasje në sisteme informative edhe pas ndërprerjes së kontratës së punës

Në analizën e bërë të listës së punonjësve, të cilët kanë ndërprerë kontratën e punës dhe listës së përdoruesve aktiv në sistemet e informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur që kishte llogari të punonjësve që nuk ishin më punonjës të Telekomit por ende ishin aktiv në sistemet e informacionit.

Sipas Auditorit, të drejtat e qasjes në përdorimin e sistemeve informative për të gjithë punonjësit, kontraktuesit apo palët e treta, ndërpriten në momentin e ndërprerjes së kontratës.

Departamenti i Burimeve Njerëzore, për rastet e ndërprerjes së kontratës së punonjësve me TK-në ka njoftuar zyrtarët e Departamentit Teknik, por kërkesa për ndërprerje të qasjes në sistemet e informacionit nuk ishte realizuar nga ekipet e IT-së.

Në raportin e auditimit thuhet se përdoruesit të cilët janë aktiv dhe të cilët nuk kanë kontratë pune me Telekomin e Kosovës apo kanë ndryshuar pozitën e punës rrezikojnë që të bëjnë aktiviteteve të qëllimshme të paautorizuara të cilat ndikojnë në funksionimin e sistemeve, zbulimin e informacionit, humbje financiare si dhe humbje të reputacionit të Kompanisë.

“Bordi i drejtorëve të sigurojë, që të drejtat e qasjes në përdorimin e sistemeve të informacionit të ndërpriten menjëherë për punonjësit, në momentin e ndërprerjes së kontratës”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.