Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

ASK: Deri në 10 mijë euro shpërblim për atë që gjen numrin e saktë të popullsisë rezidente në Kosovë

Ai apo ajo që do të gjejë numrin e saktë të banorëve rezidentë të Kosovës, do të mund të fitojë deri në 10 mijë euro. Këtë lojë shpërblyese e ka organizuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila pritet të fillojë regjistrimin e popullsisë më 05.04.2024.

“Është një lojë shpërblyese që kanë me u pyet qytetarët e Kosovës. Është një shpërblim i madh, diku rreth 10 mijë euro. Ai/ajo që ia qëllon sa ka me dalë popullsia rezidente në Kosovë, mirëpo na vyn saktësia” – tha ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati.

Kusht për të fituar është që edhe vetë fituesi të jetë i regjistruar.

ASK-ja më 08.03.2024 ka filluar fushatën sensibilizuese për regjistrimin e popullsisë përmes një konference për media. Në këtë konferencë u dhanë detaje për procesin që është planifikuar të zgjasë 6 javë, deri më 17.05.2024.

Për këtë fushatë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 120 mijë euro..

Të dhënat preliminare të regjistrimit, do të publikohen 3 muaj pas regjistrimit në terren, ndërsa ato finale 9 muaj pas, siç tha u.d. Kryeshefi. Nga ky regjistrim pritet të publikohen 22 raporte tematike

Regjistrimi parashihet të bëhet në rreth 650 mijë ndërtesa, përmes 3 mijë e 536 regjistruesve në terren, ku përfshihen të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe 891 mbikëqyrësve, siç u tha në këtë konferencë.

Kjo është tentativa e katërt për fillimin e regjistrimit të popullsisë që bëhet nga Agjencia e Statistikave në Kosovës (ASK).

Ky proces fillimisht ishte paraparë të niste në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më 30.09.2022, Qeveria kishte vendosur që regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, të realizohet në periudhën kohore nga 01.09.2023 deri më 16.10.2023.

Vendimi i radhës, më 23.08.2023, parashihte fillimin e regjistrimit të popullsisë nga data 01.11.2023 deri më 15.10.2023.

Kryeministri Kurti kishte thënë se një sërë vonesash në proces e kishin bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 01.09.2023.

Më 27.10.2023, Albin Kurti pati thënë se e kanë nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 01.11.2023.

I fundit ishte vendimi i Qeverisë Kurti më 22.11.2023 kur regjistrimi i shty të mbahet nga data 05.04.2024 deri më 17.05.2024.