Arsyetohet kompania së cilës Drenasi ia ktheu mbrapsht makinat mjelëse: Kanë gabuar depoistët

Komuna e Drenasit të premten bëri të ditur se e kanë obliguar një operator ekonomik që t’i kthejë mbrapsht makinat mjelëse dhe të sjellë të tjera ashtu siç ka qenë e cekur në kontratë.

Kjo pasi sipas komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, operatori ekonomik i ka sjellë makinat me kapacitet të kazanit të qumështit me 30 litra dhe jo 40 litra siç kanë qenë në kontratë.

“Për shkak që operatori ekonomik nuk i ka sjellë makinat sipas kontratës së nënshkruar mes Komunës së Drenasit dhe operatorit ekonomik, Komisioni për pranimin teknik dhe shpërndarjen e makinave mjelëse ka rekomanduar që makinat të kthehen dhe të sillen ashtu siç janë të precizuara në kontratë me përmasa, pra të 40 litrave, e jo siç i kishte sjellë të 30 litërshe”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com ka kuptuar se operatori ekonomik për të cilin bëhet fjalë është N.T “Rimida”.

Të kontaktuar nga KALLXO.com nga kjo kompani kanë deklaruar se ka mund të jetë një gabim nga punëtorët e depos por që thonë se çmimi është i njëjtë për të dy llojet.

“Kazani që ka shkuar në vend se të jetë 40 litërsh, ka shkuar 30 litërsh. Po çmimi i tyre është i njëjtë, s’ka pas tendencë me manipulu ose më bë diçka. Në mungesë të asaj, kontingjenti i tjetër është duke e ardhë, e besoj që të mërkurën ose të enjten mbërrina e ju shkojnë 40 litërsh. Çmimi është i njëjtë, pak rëndësi ka ajo a 30 a 40 litërsh. Depoistët kanë gabu, kanë shku shumë shpejtë. Pra, çmimi është i njëjtë po veç dallon nëse don për një lopë apo dy. Edhe me pas pranu, nuk kishin vërejt najfarë dallimi se ajo në sy nuk dallohet se është vetëm pak ma i gjanë kazani”, u shpreh menaxheri për import dhe eksport në kompaninë “Rimida”, Selim Krasniqi.

Kjo kompani kishte fituar tender për furnizim me makina mjelëse të dedikuara për dy krerë lopësh më 5 maj 2021.

Vlera e këtij tenderi është 6,360 euro.

Drenasi i kthen mbrapsht makinat mjelëse që i bleu, thonë se nuk u sollën sipas kontratës