Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Seanca për kanosjen ndaj Lladrovcit: I pari i Drenasit s'paraqitet në Gjykatë, i akuzuari s'e pranon fajësinë

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, më 14.06.2024 është mbajtur seanca në lidhje me kanosjen ndaj kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku i akuzuar është Muhamet Ajazi. Ky i fundit akuzohet se e ka kanosur Lladrovcin gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021.

I pari i Drenasit nuk është paraqitur në Gjykatë.

Përmes një shkrese, ai e ka njoftuar gjykatën për mungesën dhe njëkohësisht ka konfirmuar se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori në lidhje me këtë rast. Kështu ka njoftuar gjyqtarja e rastit, Alltën Murseli, gjatë seancës.

Sipas Prokurorisë, Ajazi akuzohet se më 12.11.2021, gjatë fushatës elektorale e kishte penguar Lladrovcin në ushtrimin e veprimtarisë, në atë mënyrë, që derisa ishin duke qëndruar në restorantin “Lumi” në Komoran, kishte shkuar tek dëshmitarët Ndriqim Bujupi, Lindrim Ibriqi dhe Besart Ajazi dhe i’u kishte thënë “shyqyr që ka përfunduar me kaq se ja kisha q* nanen plum”, duke aluduar në të dëmtuarin Ramiz Lladrovci.

I akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

I akuzuari Muhamet Ajazi, Gjykata e Prishtinës, seanca 14.06.2024, Foto: KALLXO.com

“Nuk e pranoj fajësinë” – tha ai para gjykatës, pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja, Fitore Sadikaj.

Ai tha se i dëmtuari, Ramiz Lladrovci nuk ishte prezent në atë vend.

“Nuk ka qenë Ramizi aty. As në fushatë, as në nejë”- tha i akuzuari Ajazi para Gjykatës.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati  Ibrahim Shala, në fjalën hyrëse tha se aktakuza është ngritur pa prova, pa fakte dhe pa bazë juridike.

“Kjo aktakuzë është pa bazë faktike nga fakti se në restorantin “Lumi” nuk ka pasë kurrfarë fushate, por ky është një inskenim, nga pozita që i akuzuari ka qenë në përkrahje të kushëririt të tij, Driton Ajazi, që me kandidatin tjetër, tani me kryetarin aktual ka qenë rival. Me qëllim që të sigurojë vetes avantazhe. Përndryshe, me provat që do të administrohen dhe me dëshmitë e dëshmitarëve Lindrim Ibriqi dhe Besart Ajazi qartë do të provohet se i mbrojturi im nuk ka kryer veprën penale të kanosjes.” – tha ai para gjykatës.

Ai tha se dëshmitari tjetër në këtë çështje, Ndriqim Bujupi është nip i kryetarit aktual, kurse nga gjykata kërkoi që aktakuza të refuzohet si e pabazuar.

“Kjo do të vërtetohet me prova që Ndriqim Bujupi është nip i kryetarit aktual dhe mbi këtë bazë edhe kanë ngritur çështjen pa qenë e njëjta ashtu siç është përshkruar në aktakuzë. Në këtë çështje juridike kërkoj të hidhet aktakuza si e pabazë, faktikisht të refuzohet si e paprovë dhe e pafakte” – përfundoi avokati.

Ndaj të akuzuarit Ajazi rëndon akuza e” kanosjes së kandidatit”, vepër penale që në Kodin Penal hyn në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Prokuroria e ka kualifikuar këtë vepër sipas paragrafit 2 të nenit 208, dënueshmëria e të cilës parashihet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Ky gjykim do të vazhdojë në muajin korrik, me trupin gjykues: Alltën Murseli – kryetare dhe anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi.