
Objekti i ri i shkollave të mesme "Elena Gjika" dhe "Shaban Hashani" në Ferizaj, 30.10.2024, Foto: KALLXO.com
Arsyetimi i MASHTI-t se pse nuk arriti t’i sigurojë karriget për objektin e ri të dy Shkollave në Ferizaj
Pas raportimit të KALLXO.com se nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë, Ministria e Arsimit është arsyetuar lidhur me mosfurnizimin me karrige të objektit të ri që është ndërtuar për këto dy Shkolla.
Nxënësit e të dy Shkollave të Mesme që mësonin në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë për shkak të disa problemeve që u kanë dalë me objektin e ri, i cili është ndërtuar te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.
Në mesin e problemeve që ka përmendur drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani është edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy Shkollat e Mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.
Ndonëse Llabjani ka thënë se para tre-katër javësh objekti i ri i të dy Shkollave të Mesme është furnizuar vetëm me banka shkollore nga Ministria e Arsimit, vetë Ministria ka thënë se e kanë furnizuar objektin me banka në muajin tetor 2024.
“Objekti i ri i Shkollës është furnizuar me banka në muajin tetor 2024, me Kontratën që ka lidhur AQP (Agjencioni i Prokurimit Qendror), me afat deri në fund të muajit tetor.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit, më 14.01.2025.
Sa i përket furnizimit me karrige, Llabjani ka thënë se Ministria e Arsimit është arsyetuar se nuk kanë qenë të kënaqur me cilësinë e karrigeve.
Sipas Llabjanit, ata janë detyruar që t’i bartin karriget e komodinat e mëparshme, që i kanë shfrytëzuar të dy Shkollat tek objekti i ri.
E Ministria e Arsimit po thotë se deri në fund të muajit janar objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj do të furnizohet me karrige.
Sipas Ministrisë, afati i Kontratës ekzistuese ka qenë deri në fund të muajit tetor dhe për shkak të importit të artikujve – karrigeve, kompania furnizuese nuk ka arritur të kryejë furnizimet brenda afatit ligjor të Kontratës.
“Objekti i ri i Shkollës do të vazhdojë të furnizohet me karrige me Kontratën e re të lidhur nga AQP, furnizuesi i së cilës është në proces të sigurimit të artikujve për furnizim dhe pritet që deri në fund të muajit janar të kryhen furnizimet.” – ka thënë Ministria e Arsimit në përgjigjet e saj.
Deri më tani, MASHTI thotë se ka paguar 33,444 euro për furnizimin me banka të objektit të ri, të të dy Shkollave të Mesme në Ferizaj, ndërsa ende nuk ka ekzekutuar pagesë për karrige dhe vetëm pas kryerjes së furnizimeve e pranimit nga Shkolla do të kryhet edhe kjo pagesë.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari ka thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.
“Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige, edhe nuk është fillu mësimi.” – ka thënë Jashari, më 13.01.2025.
Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari tha se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të, e jo të zhvillohet mësim aty.
Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta, në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.
Kurse drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu ka thënë se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë, pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.
“Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu, edhe bash sot kem me pastru. Karriga e banka i kemi mbushë klasat.” – ka thënë Nebihu.
Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.
KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara; dritaret në klasa e tualetet e Shkollës në gjendje jo të mirë.
E zëvendësdrejtori i Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, Bardhyl Xheladini nuk ka pranuar të japë shumë detaje, por ka kërkuar që për këtë çështje të pyetet Drejtoria e Arsimit.
Sipas Xheladinit, ata nuk e dinë se kur do ta fillojnë mësimin nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Ferizaj.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka thënë se u kanë dalë telashe me kulm të objektit të ri, që është ndërtuar për të dy Shkollat e Mesme.
“Ka piku kulmi, edhe kena pasë pak problem me ujë edhe me energji elektrike. Sidomos me ujë, kur e kemi lëshu, ka pasë ngapak do rrjedhje.” – ka deklaruar Llabjani.
Llabjani ka thënë se po përpiqen që nxënësit e të dy Shkollave ta fillojnë mësimin më 20.01.2025, ndërsa gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024/2025 ka nisur në Kosovë më 08.01.2025.
Kur është pyetur se si ka pasur problem me kulmin objekti i ri që është ndërtuar, ai ka shpjeguar se problemi ka qenë te ndërtimi i kullueseve të kulmit.
Ndërtimi i objektit të ri të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” i ka kushtuar Komunës së Ferizajt rreth një milion e 200 mijë euro – sipas Llabjanit.
Lokacioni ku është ndërtuar objekti i ri, Llabjani ka shpjeguar se ka qenë i AKP-së, e cila për dy vjet ua ka ndalur punimet, e ato kanë filluar në vitin 2019 deri më 2021.