Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës nuk tregon se a i liroi nga paraburgimi të dyshuarit për grabitje

Kastriot Shala, Leutrim Latifi e Ridvan Ademi, të dyshuar për vepra penale të grabitjes. Shala, Latifi e Ademi, janë të dyshuar për një numër të grabitjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Rastin ndaj tyre po e udhëheq gjykatësi Naser Foniqi, ndërsa prokurori i çështjes është Hivzi Bajraktari.

Kallxo.com ka pranuar informacione se të dyshuarit për grabitje janë liruar nga paraburgimi dhe ka tentuar ta konfirmojë disa herë këtë informacion.

KALLXO.com ka parashtruar kërkesë për qasje në vendimin mbi lirimin nga paraburgimi në Gjykatën e Prishtinës, e të njëjtën ditë nga gjykatësi i rastit Naser Foniqi, kemi pranuar telefonatë në të cilën na është thënë që kërkesa të tilla të mos paraqesim më lidhur me rastin në fjalë.

Ndonëse KALLXO.com kërkesën për qasje në vendimin e tillë e ka drejtuar në zyrën për informim, gjykatësi Foniqi ka reaguar duke thënë se nuk ka kohë të merret me kërkesa të tilla.

Ndërsa nga zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashit KALLXO.com ka pranuar informatën se gjykatësi Naser Foniqi ende nuk është përgjigjur në kërkesën tonë.

“Ju njoftojmë se gjyqtari i kësaj çështje është njoftuar lidhur me kërkesën tuaj, mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje nga i njëjti”, ka thënë zëdhënësja Mirlinda Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe prokurorin e çështjes, Hivzi Bajraktarin për ta pyetur lidhur me rastin dhe a e ka goditur me ankesë vendimin mbi lirimin e paraburgimit, i njëjti është përgjigjur se s’mund të japë informacion lidhur me këtë çështje.

“Kjo çështje është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamentin për Krime të Rënda, gjithçka që iu nevojitet mund ta kërkoni në Gjykatë, nuk është kompetencë e Prokurorisë për të dhënë të dhëna të tilla”. ka thënë prokurori Bajraktari.

Ndërsa lidhur me pyetjen se a do të bënte ankesë ndaj këtij vendimi, i njëjti nuk është përgjigjur.

KALLXO.com ka raportuar se i dyshuari për shumë raste të grabitjes  Kastriot Shala është arrestuar më 9 maj 2019 në Hajvali të Prishtinës pasi i njëjti gjendej në arrati dhe kërkim.

Ndërsa Leutrim Latifi, 15 ditë më vonë më 24 maj 2019, ishte arrestuar nga autoritetet malazeze dhe ishte ekstraduar në Kosovë duke u dërguar menjëherë në qendrën e ndalimit.

Ndërsa pas 52 ditësh më 11 korrik 2019 është arrestuar edhe i dyshuari i tretë Ridvan Ademi nga autoritetet belge.

Në tetor të vitit 2018 Policia e Kosovës, kishte shpallur për kërkim 3 të dyshuarit e lartëcekur duke u’a shpërndarë fotografitë dhe kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët e Kosovës për lokacionin e tyre.