Ilustrim

Arrestohet i shumëkërkuari për grabitjet në Prishtinë, Ridvan Ademi

I kërkuar për më shumë se një vit nga Policia e Kosovës nën dyshimet për grabitje, është arrestuar edhe i shumëkërkuari tjetër – Ridvan Ademi.

Ademi dyshohet se është anëtari i tretë i grupit të grabitësve të dyshuar, që përbëhet nga Leutrim Latifi e Kastriot Shala.

Ridvan Ademi është arrestuar më 11 korrik nga autoritetet belge pasi që i njëjti ishte i kërkuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Pas arrestimit, autoritetet belge i kanë gjetur Ridvan Ademit dokumentacion edhe të një vendi tjetër.

“Pas një bashkëpunimi profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve belge në Belgjikë është arrestuar një person i dyshuar, ku të njëjtit i janë gjetur në posedim dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj në bashkëpunim aktiv me autoritetet janë verifikuar të gjitha rrethanat përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshme për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore”, tha zëdhënësi i Policisë.

“Pavarësisht përpjekjeve të individëve të dyshuar për t’i ikur drejtësisë, Policia e Kosovës është e përkushtuar që të ndërmarrë veprime të vazhdueshme në funksion të zbatimit të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave te dyshuar të involvuar në aktivitetet të kundërligjshme kurdo dhe kudo që ata ndodhen”, ka thënë për KALLXO.com Daut Hoxha.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për të arrestuarin e parë nga ky grup – Leutrim Latifin.

Ai ishte arrestuar në shkurt të këtij viti nga autoritetet malazeze e më pas ishte ekstraduar në Kosovë.

Tre muaj më vone, më saktësisht në maj Policia ka njoftuar se kishte arrestuar edhe personin tjetër të kërkuar për disa grabitje në Prishtinë, Kastriot Shalën.

Policia e Kosovës vazhdimisht kishte kërkuar bashkëpunimin nga ana e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e Leutrim Latifit dhe Kastriot Shalës.

Policia e Kosovës me 16 tetor të vitit 2018 përmes një komunikate ka njoftuar se është në kërkim të tre personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve, ku ndër të kërkuarit ishte edhe Latifi.

https://kallxo.com/policia-ende-ne-kerkim-te-kastriot-shales-dhe-leutrim-latifit-te-dyshuar-per-grabitje/

https://kallxo.com/policia-po-i-kerkon-keta-tre-te-dyshuar-foto/

Më 3 janar të këtij viti deri sa kishte ndodhur një grabitje në marketin “Meridian” në lagjen Dardania në Prishtinë, Kastriot Shala e Leutrim Latifi ishin shfaqur në shoqëri të njëri-tjetrit, me një fotografi në rrjetin social “Facebook”. Postimin e tyre ata e kanë shoqëruar me mbishkrimin ‘E sa njeri ka ba turr, e u hi nër tavolinë si [qen]”.

https://kallxo.com/i-dyshuari-qe-tallej-me-policine-e-kosoves-ekstradohet-nga-mali-i-zi/

www.kallxo.com