Ilustrim

Arrestohet qytetari nga Peja, dyshohet se vodhi mbi 6 mijë euro në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë një 39-vjeçar pasi dyshohet se ka vjedhur 6 mijë euro dhe një telefon nga një veturë disa muaj më parë në Mitrovicën e Jugut.

G.D., qytetar nga Peja, vjedhjën dyshohet se e ka kryer në qershor të këtij viti ndërsa pas hetimeve të zhvilluara ai është arrestuar sot.

Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka thënë për KALLXO.com se pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara dhe dyshimeve të bazuara, hetuesit policorë në bashkëpunim me hetuesit e rajonit të Pejës,  në orët e pasdites së sotme në Pejë, kanë arrestuar të dyshuarin  G.D., 39-vjeçar, banues në Pejë, shtetas i Republikës së Kosovës, pasi  që i njëjti   dyshohet se më 26 qershor 2021, në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicë, ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë, ku me forcë ka thyer dritaren e  një automjeti nga ku kishte vjedhur një çantë krahu me një  shumë të parave në vlerë 6,500 euro dhe një telefon Iphone 6”, ka thënë ai për KALLXO.com.