Arrestohet për trafikim me njerëz, viktimat ishin të mitur dhe lëmoshë kërkues

Policia e Kosovës, të mërkurën në mbrëmje ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale trafikim me njerëz në rrugën “Zenel Salihu”, në Prishtinë dhe ka identifikuar edhe nëntë persona kryesisht të mitur lëmoshë kërkues.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Policia e Kosovës aksioni është zhvilluar në një shtëpi të braktisur ku edhe janë sekuestruar para, telefona, armë e ftohtë dhe narkotikë.

“Aksioni është zhvilluar në një shtëpi të braktisur, në rrugën e sipërshënuar, ku dhe janë sekuestruar: një sasi e parave ( mbi 1000 euro), dy telefona, 3.40 gr substancë narkotike dhe një armë e ftohtë (thikë)”, thuhet në komunikatë.

Sipas policisë personi i dyshuar B. S mashkull 39 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të procedurave policore me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.