Ilustrim

Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se në muajin gusht ngacmoi seksualisht një grua

Një burrë është arrestuar dje nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një grua në Prishtinë më 19 gusht.

Sipas raportit të Policisë, i njëjti dyshohet se më pas e ka goditur viktimën.

Rasti ka ndodhur më 19 gusht në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dje.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Javën e kaluar një person i moshës mbi 30-vjeçare nga një fshat i Istogut është arrestuar me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë, mosha e të cilës është 9-vjeçare.

KALLXO.com mëson se ngacmimi kishte ndodhur në rrjetin social ‘Instagram’ dhe viktima ishte ngacmuar gjatë orëve të natës.

Në një intervistë për KALLXO.com, babai i vajzës së mitur tregon se si e kishte raportuar rastin në polici. Ai bëri të ditur se në telefonin e vajzës kishte parë fjalë denigruese.

Ndërsa, më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Lidhur me rastin janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim pesë persona.

Ndërsa, gjashtë persona tjerë kanë përfunduar në pranga me 2 shtator. Ata po dyshohen për dhunim dhe trafikim të 11-vjeçares gjatë muajit qershor të këtij viti.

Pas këtij rasti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se prindi i një 14-vjeçareje është ankuar në Ministri se ndaj vajzës së tij ka pasur tentim dhunim dhe personi i dyshuar vazhdon të jetë i lirë.

Haxhiu ka thënë se njoftimin e ka bërë me leje të prindit të vajzës.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë”, ka shkruar ministrja në Facebook.