Ministrja Haxhiu: Një prind më tregoi se vajza 14-vjeçare ishte viktimë e tentim dhunimit, i dyshuari është i lirë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se prindi i një 14-vjeçareje është ankuar në Ministri se ndaj vajzës së tij ka pasur tentim dhunim dhe personi i dyshuar vazhdon të jetë i lirë.

Haxhiu ka thënë se njoftimin e ka bërë me leje të prindit të vajzës.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Puna e institucioneve të drejtësisë në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është kritikuar edhe të dielën nga vetë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pas kritikave të Kurtit e Haxhiut, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me “riciklimin” e vazhdueshëm të “deklaratave të pamatura e të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial”.

Sipas tyre, kjo po bëhet vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e kryeministrit Kurti.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit reagojnë ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministres Haxhiu

Reagimet erdhën pas rastit të dhunimit seksual të një 11-vjeçareje. Disa persona janë arrestuar lidhur me këtë rast, ndërkohë që ka pasur dorëheqje në institucione të shtetit, përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës.