Arrestohet një arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit në Ferizaj, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Policia në Ferizaj ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe – keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik.

Njëri nga të arrestuarit është arkitekt në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit të Komunës së Ferizajt.

Ai po dyshohet se ka nënshkruar situacionet dhe një aneks-kontratë pa bërë verifikimin  e punëve të kryera në terren.

“S.B. në rastin konkret i caktuar si Menaxher i një projekti, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, konkretisht ka nënshkruar situacionet dhe një aneks kontratë pa bërë verifikimin  e punëve të kryera në teren, duke i mundësuar përfitim material të dyshuarit H.H., m/k viti I lindjes 1963”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, i dyshuari H.H. si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në terren.

Kështu, ai dyshohet se i ka shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë 67.659.41 euro.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.