Arrestohet në Tiranë i riu nga Taxhikistani, i akuzuar si anëtar i ISIS

Drejtoria e Antiterrorit arrestoi 24-vjeçarin pas një urdhri arresti të lëshuar nga Gjermania, që e akuzon atë për pjesmarrje të organizatë terroriste.

 

Policia e Shtetit njoftoi të  enjten arrestimin e një  të  riu nga Taxhikistani, të kërkuar nga drejtësia gjermane për veprën penale të terrorizmit. Sipas policisë, 24-vjeçari dyshohet se ishte anëtar i ISIS. Arrestimi është kryer nga drejtoria e Antiterrorit, pas informacioneve të marra nga homologët ndërkombëtarë.

“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale ‘pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste’, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS)”, citohet në njoftim.

Policia i ka kaluar materialet hetimore Prokurorisë së Tiranës, me qëllim nisjen e procedurave të ekstradimit të  24-vjeçarit të  arrestuar për terrorizëm .