Foto: Ilustrim

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren

Pak më shumë se 24 orë nga vrasja e 48-vjeçarit, Beqir Morina, në Prizren, organet e rendit kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin për vrasjen e tij, Aziz Gashi.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija. Më tej ai ka treguar se arrestimi i tij është bërë në një fshat të Malishevës.

“Po, është arrestuar i dyshuari sapo e konfirmuan, është arrestuar në një fshat të Malishevës. Aktualisht është duke u sjellë në stacionin policor në Drejtorinë në Prizren. Nuk ka rezistuar ekipet policore janë duke e sjellë në stacion” – konfirmoi drejtori Aliaj.

Policia kishte raportuar se një zënkë fillimisht dyshohet se ishte nismëtare e vrasjes e cila u regjistrua mbrëmë rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren.

Mosmarrëveshja dyshohet se ishte për një pusetë.

“Dyshimet tona edhe zyrtare edhe prej dëshmitarëve janë se ka pasur një mosmarrëveshje për një pusetë kanalizim i ujërave të zeza, aty diskutimi ka mujt me pasu me sulm fizik dhe më pas ka eskalu dhe ka rezultu me vrasje ku si pasojë kemi një viktimë dhe një person të dyshuar”- shtoi Alija.

Nga mbrëmë sipas drejtorit Alija janë zhvilluar disa bastisje.

Madje në një lokacion ku dyshohet se ishte strehuar i dyshuari policia sot arriti që te gjej një armë që dyshohet se u përdor në rast.

Shtëpia e te dyshuarit Aziz Gashi tashmë është rrethuar me shirita të policisë dhe qasja në të nuk është e lejuar përveç familjarëve.

Në një deklarim për KALLXO.com, drejtori i policisë së rajonit të Prizrenit, Faton Alija ka thënë se viktima Beqir Morina dhe i dyshuari Aziz Gashi dyshohet se kishin pasur një zënkë mes vete e që më pas ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri një pushkë automatike në drejtim të viktimës për disa herë.

“Ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka ndodhur aty për aty dhe e gjithë ngjarja është zhvilluar për 12-13 minuta”- tha Alija në një deklaratë për KALLXO.com.

I dyshuari po jetonte vetëm në atë shtëpi ndërsa ishte kthyer nga Belgjika.

Ai ishte i ardhur në këtë lagje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës.

Prokurorja e rastit jep detaje nga vrasja e 48-vjeçarit në Prizren